Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka përkujtuar se teksa ShBA kremton 30-vjetorin e Programit të Partneritetit Shtetëror, Forca e Sigurisë së Kosovës këtë vit shënon 12 vite partneritet me Gardën Kombëtare të Iowas.
Mehaj, në një postim në Facebook, ka shkruar se ky partneritet po thellohet çdo vit e më shumë, duke u lidhur mbi parimin e ruajtjes së vlerave demokratike dhe stabilitetit të vendeve përmes shkëmbimit të përvojave në fushën ushtarake.
“Partneritet ky që çdo vit e më shumë është thelluar, duke u lidhur fuqishëm mbi parimin e ruajtjes së vlerave demokratike dhe stabilitetit të vendeve përmes shkëmbimit të përvojave në fushën ushtarake, trajnimit të përbashkët e edukimit të kuadrove të reja, ashtu që përmes këtij bashkëpunimi Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë ushtri profesionale e ndërveprueshme me ushtritë e shteteve të NATO-s, e aftë për të ruajtur paqen në vend, rajon dhe më gjerë”, thotë Mehaj.
Ai citon videon në vijim, me Marty Hogan, nga Garda Kombëtare Ajrore e Iowa-s, i cili së fundmi vizitoi Kosovën për të trajnuar ushtarët e Kosovës. “Është impresionuese ngazëllimi i pjesëtarëve të FSK-së për të mësuar. Ata e duan Iowa-n, e duan Amerikën”.
“Andaj partneriteti me Iowa-n dhe ShBA-të është i përjetshëm ngase na bashkon e kaluara dhe besimi mbi lirinë e popujve si e drejtë e pamohuar dhe e lindur bashkë me qenien njerëzore”, ka shkruar Mehaj.