Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka nënshkruar Planin Strategjik për Komunikim 2023 – 2025.
“Sapo nënshkrova një dokument tjetër të rëndësishëm sa i përket planit të komunikimit dhe veprimeve konkrete. Transparencën, komunikimin e rregullt me mediat dhe opinionin publik do t’i avancojmë edhe më tej”, ka shkruar ministrja Haxhiu.
“Komunikimi me mediat dhe publikun, informimi i rregullt, qasja në dokumente dhe vendimet e Ministrisë së Drejtësisë, përgjigjet ndaj pyetjeve dhe interesimit të gazetarëve, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin përherë në fokus të ministrisë gjatë mandatit tim”, ka shtuar Haxhiu.
Sipas saj në mënyrë që të avancohet më tej efikasiteti në aspektin e komunikimit, pas një angazhimi dhe pune të gjatë nga ekipet brenda kabinetit dhe ministrisë, është hartuar dhe finalizuar Plani Strategjik për Komunikim 2023-2025, zbatimi i së cilit do të prodhojë edhe më shumë rezultat në këtë drejtim.


