Për shkak të mungesës së prokurores Drita Hajdari dhe të akuzuarit Xhemajl Syla, të hënën ka dështuar rigjykimi ndaj këtij të fundit, i cili ishte dënuar për keqpërdorim të informatës zyrtare.
Në këtë rast, Syla po akuzohet se si udhëheqës i Divizionit për Mbështetje të Bizneseve dhe Zhvillimeve Regjionale në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informacione zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Management Development Association”.
Mungesën e prokurores Hajdari, të akuzuarit Syla dhe mbrojtësit të tij Mahmut Halimi, e ka konstatuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për të akuzuarin Syla dhe avokatin Halimi, gjykatësja Bytyqi tha se të njëjtit e kanë pranuar ftesën në mënyrë të rregullt për këtë seancë, mirëpo deri më tani nuk e kanë njoftuar gjykatën për arsyet e mos pjesëmarrjes.
Kurse, për prokuroren Hajdari, gjykatësja Bytyqi tha se e njëjta e ka njoftuar gjykatën se deri me 16 korrik gjendet jashtë vendit.
Andaj, shqyrtimi gjyqësor është shtyrë për kohë të pacaktuar, me qëllim të koordinimit me të gjitha palët, ashtu që seanca e radhës të mos dështoj.
Ndryshe, me 21 korrik 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Xhemajl Sylës, ish-zyrtarit të MTI-së, duke e dënuar me 5 mijë euro gjobë dhe 2 vite burgim me kusht .
Kurse, me 23 janar 2023, PSRK kishte kërkuar nga Apeli dënim me burgim efektiv për të akuzuarin Syla, kurse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e të njëjtit ose rigjykim.
Ndërsa, me 27 shkurt 2023, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën si të bazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Syla, avokatit Mahmut Halimi duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe vendosje, me arsyetimin se Apeli ka gjetur se aktgjykimi i themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës dhe se shkeljet e tilla janë të natyrës absolute që kushtëzpojnë anulimin e aktgjykimit.
Në vendimin e Apelit, ndër të tjera thuhet se themelorja ka administruar email-et e komunikimit ndërmjet të akuzuarit Syla dhe Luan Dalipit me përmbajtjte të gjuhës angleze dhe se të njëjtat pa u përkthyer ishin bërë pjesë e aktgjykimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohej se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Syla, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar Luan Dalipit, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.
Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, Dalipi i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.
Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xhemajl Syla, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.
Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Syla në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek Luan Dalipi, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.
Ai akuzohej se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet.


