Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur mobilizimin për takimet, siç ka paralajmëruar ai , “për kapërcimin e izolimit dhe krizës”, për të cilin e fajëson kryeministrin Albin Kurti.
Në ambientet e hotelit luksoz “Sëiss Diamond” mobilizimi i partisë opozitare ka nisur me një takim me gazetarë dhe analistë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pati paralajmëruar në fundjavë për nisjen e “një rruge të re, pa Albin Kurtin”. Për këtë rrugë, ai ka thënë se kanë marrë mbështetje të madhe nga akterët e ftuar.
LDK-ja ka krijuar platformën e “rrugës së re” si mjet për t’iu kundërpërgjigjur “politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj – dhe së këndejmi, rrezikimit të shtyllave qenësore të sovranitetit dhe vet shtetësisë sonë”.
Takimi i dytë pritet të mbahet me organizata të shoqërisë civile, i treti me profesorë universitarë e ish-diplomatë dhe i katërti me biznese nga sektori privat në vend.



