Kryetarët e Komunave në Kosovës kanë kërkuar një takim me kryeministrin, Albin Kurti dhe kabinetin qeveritar.
Në kërkesën e tyre e cila është bërë publike nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, në rrjetin social Facebook, thuhet se ky takim është kërkuar për të adresuar temat, shqetësimet, nevojat dhe kërkesat e komunave të Kosovës.
“Temat e propozuara në takimin tonë të përbashkët do mund të ishin: 1. Tatimi në pronë – Ligji i ri për tatimin në pronë si dhe mundësia e faljes së 100 euro përmes ligjit; 2. Procedurat e rekrutimit në shërbimin publik; 3. Të hyrat vetanake dhe buxheti për Komunat; 4. Pronat e administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe nga Agjencia e Pyjeve e që mund të jenë në interes të komunave; 5. Granti i Katërt për Komunat, procedimin e Ligjit për financa lokale”, thuhet në kërkesë.
Këtë kërkesë, në emër të Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kryetari i AKK-së Agim Aliu e ka adresuar tek kryeministri Kurti, ku ka kërkuar një takim mes Qeverisë së Kosovës dhe kryetarëve të Komunave.


