Historia e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është po aq e panjohur sa edhe numri i saktë i këtyre rasteve. Traumat e tyre të patrajtuara i kanë vuajtur në disa raste edhe fëmijët e tyre.
Radio Evropa e Lirë sjell rrëfimin e një nëne, e cila këtë ngjarje, më tragjiken të jetës së saj e ka mbajtur sekret.
Megjithatë, ajo ia doli. Forcën e gjeti te bashkëshorti dhe fëmijët e saj.
Emrat që lidhen me rrëfimin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, janë vendosur nga redaksia e REL-it për të ruajtur identitetin e të mbijetuarës.
Akrepat e orës në dhomën e vogël, por shumëngjyrëshe, tregonin kalimin e kohës. Por, për Yllkën, të veshur në ngjyrë kafe dhe të zezë, shpeshherë koha kthehet në vitin 1999, kur ajo ishte 18 vjeçe.
Të vetme në shtëpinë e familjes diku në rajonin e Llapit, Yllka dhe një familjare e saj, Drita, ishin përballur me forcat serbe. Atë ditë, Yllka ishte dhunuar në shtëpinë e saj.
“Te dera e shtëpisë kur shkoja [pas luftës], e kisha një ndjenjë… Por, mundohesha ta fshihja, që të mos e merrte vesh askush. Më vonë, i patën ndryshuar disa gjëra në shtëpi dhe nuk më dukej më si i njëjti vend”, rrëfen Yllka.
Me buzëqeshjen që i reflektohet edhe në sytë herë-herë të përlotur, Yllka tregon se, si fëmijë, ajo kishte qenë e hareshme, energjike dhe me shumë ëndrra për të ardhmen.
Ndërsa, duke pëshpëritur e me zërin që i mbytet nën tingujt e akrepave të orës, ajo tregon se si ajo ditë, 24 vjet më parë, ia ndryshoi jetën.
“Gjithçka kam pasur përpara. Por, lufta më shkatërroi”, thotë Yllka.
“Për një kohë, nuk kam qenë shumë mirë. Gjithçka më ka penguar, edhe dielli kur dilte. Nuk doja as diellin ta shihja me sy, as dritë, as asgjë”, shton ajo.
Para se ta përjetonte dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, Yllka ishte takuar me një djalë, Endritin.
Kur lufta përfundoi, ai kërkoi ta takonte sërish Yllkën, por fillimisht nuk pati sukses.
E shkatërruar nga ajo që kishte përjetuar, Yllka thotë se nuk donte ta takonte askënd nga frika se sekreti i saj do të zbulohej.
Por, më vonë, Endriti arriti ta bindte familjaren e Yllkës, Dritën, të takoheshin të tre së bashku – të vetmit persona që dinin sekretin e Yllkës.
“Unë ndihesha sikur ai po dilte veç për ta parë se si jam bërë. Mendoja se nuk ka asgjë prej kësaj pune”.
“Por, ai ka bërë gjithçka për mua. Atë e kam pasur gjithçka, dashuri dhe gjithçka, krah për t’u mbështetur”, thotë ajo.
Për ta lexuar të plotë artikullin, klikoni KËTU


