Një ngjarje të rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lipjan, ku një person ka humbur jetën në rrethana të dyshimta pas një incidenti në rrugë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala ka deklaruar për Telegrafin se për rastin në fjalë është aktivizuar edhe Prokurori i Krimeve të Rënda.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet hetimore si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë, poashtu edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës janë në hetime të vazhdueshme”, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Me vendim të Prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Për më shumë informacione nuk mund të ofrojmë pasi që mund të dëmtojmë integritetin e procedurës hetimore”, ka deklaruar tutje Shala.
Edhe Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur.
“Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”.
Tutje në njoftim thuhet se IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”, thuhet ndër të tjera në njoftim./