Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka publikuar shpenzimet e ministrisë që ai drejton, për dreka zyrtare, duke bërë një krahasim me shpenzimet e bëra nga paraardhësit e tij.
Sipas grafikës së shpërndarë nga ministri, del se dikasteri që ai drejton ka shpenzuar 18,077 euro në dreka dhe 1,158 euro në byfe, gjatë viteve 2021-2022.
Ndërsa, duke u bazuar nga grafika, del se në vitet 2019-2020, ministria ka shpenzuar 27,960 euro në dreka dhe 8,340 euro në byfe.
Sipas të dhënave, në vitin 2017/2018 nga kjo ministri kishin shpenzuar 32 mijë e 102 euro për dreka dhe 15 mijë e 675 për byfe.
Mehaj mes tjerash ka akuzuar disa media, për të cilat ka thënë se nuk kanë gjetur kohën e mjaftueshme për të promovuar punën e Ministrisë së Mbrojtjes, ngase “më tepër kanë qenë të angazhuar në keqinformimin e publikut, si dhe keqinterpretimin e të dhënave”.
“..dua të ndaj me ta vlera të krahasueshme të cilat sipas vullnetit ndoshta edhe mund t’u shërbejnë për të parë pa ngarkesa ndikimesh anën pozitive të punëve që po kryhen, të cilat padyshim se do të jenë edhe më intensive muajve në vijim, sepse jemi zotuar para qytetarëve se do të fitojmë çdo betejë të nevojshme për të ngritur ushtrinë dhe shtetin në nivelin e pritshmërive të tyre, të krahasueshëm me çdo shtet evropian”, ka shkruar ai në Facebook.
