Ad image

Pjesëmarrje historike në garat ndërkombëtare, prezantohet ekipi i Kosovës në ragbi

Alban Begolli
Alban Begolli 13:29 -07/06/2022

Federata e Ragbit të Kosovës (FRK) mbajti sot konferencën e saj për media, ku edhe njoftoi për përzgjedhjen e ekipit historik kosovar, që përfaqësojnë Kosovën për herët të parë në këtë sport, në garat ndërkombëtare, transmeton KosovaNews.

Pjesë e konferencës ishin presidenti i FRK-së, Ndrec Musolli, trajneri kryesorë i Kombëtares dhe njëkohësisht sekretar i FRK-së, Mark Barrett, drejtori i federatës dhe trajneri i dytë, Kevin Martin, trajneri i përgatitjes fizike, Lekë Tërmkolli dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi.

Në muajin shtator të vitit 2018 në hapësirat e KOK-ut, Federata e Ragbit të Kosovës u themelua zyrtarisht, ndërsa disa muaj pas kësaj, ajo u njoh zyrtarisht edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me këtë njohje zyrtare, Kosova kishte mundësinë që të aplikojë në Rugby Europe, i cili është trupi organizues i Ragbit Botëror, institucionit më të madh të udhëheqjes së ragbit.

Ndërkaq, në vitin e kaluar, respektivisht në dhjetor të vitit 2021, me shumicën e votave, Kosova u bë pjesë e Ragby Europe dhe si e tillë e morri zyrtarisht të drejtën për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.

Pas njohjes zyrtare nga Ragby Europe, trajnerët e Kombëtares kishin mundësinë që të fillojnë përgatitjet si dhe të grumbullohen lojtarët për ndeshjet historike të Kosovës.

Me këtë rast historik, për mediat foli Ndrec Musolli, i cili është president i FRK-së dhe njëkohësisht edhe lojtar i grumbulluar për ndeshjet e radhës të Kosovës, ku u shpreh shumë krenarë që do ta përfaqësojë Kosovën në Maltë.

“Jam shumë i lumtur dhe krenarë që jam zgjedhë për ta përfaqësuar Kosovën, është ndjenjë e papërshkrueshme dhe do të jap maksimumin në garat në Maltë”, tha Musolli.

Kosova i fillon garat në Conference 2 – Rugby Europe Sevens këtë të shtune, ku kundërshtari i parë i saj do të jetë Sllovenia, e më pas do të zhvillojë ndeshje edhe ndaj kombëtareve të tjera si Malta, Sllovenia, Sllovakia, San Marino dhe Estonia.

Trajneri kryesorë i Kosovës, Mark Barrett, pavarësisht se është i vëmendshëm që ekipi është i ri dhe pa eksperiencë në garat ndërkombëtare, u shpreh optimistë për rezultate pozitive në ndeshjet që e presin Kosovën, ku tha se lojtarët e grumbulluar janë të përgatitur si fizikisht, ashtu edhe psiçikisht.

Synimi i vetëm i Kosovës do të jetë promovimi në Conference 1 të Rugby Europe, i cili është niveli i tretë i ragbit evropian.

Secila prej skuadrave do të luajë kundër njëra-tjetrës, përpara se të kalojë në një strukturë play-off e cila do të përcaktojë se cili vend do të arrijë kalimin në nivel më të lartë.

Më poshtë mund të gjeni emrat e lojtarëve të cilët janë grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës në ragbi, ku pjesë e grupit janë edhe dy lojtarë të tjerë të cilët luajnë jashtë vendit, respektivisht në Francë dhe në Zvicër.

Ramadan Elshani, Kushtrim Dragusha, Dardan Gashi, Ardit Koci, Korab Sefaj, Fatmir Ismajli, Toni Rexhepi Fatos Ibrahimi, Mirsad Idrizi, Arben Beqiri dhe kapiteni i ekipit, Mehdi Krasniqi.

Në këtë garë që zhvillohet në Maltë, Kosova zhvillon ndeshjen e parë të shtunën kundër Sllovenisë me fillim nga ora 10:00, ndeshjen e dytë pasdite kundër Sllovakisë, dhe ndeshjen e tretë kundër nikoqirit, Maltës, kurse të dielën do të ndeshet me San Marinon dhe Estoninë./KosovaNews/

Shpërndaje