Ad image

Distria Krasniqi në krye të listës për Lojërat Mesdhetare

Kosova News
Kosova News 13:31 -07/06/2022

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, i prinë listës prej 40 sportistëve për Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), të martën.

Ekipi mesdhetar i Kosovës që përbëhet nga 40 sportistë që do të garojnë në 13 sporte të ndryshme, do të paraqitet në Lojërat Mesdhetare që mbahen në Algjeri, prej 25 qershorit deri më 6 korrik.

Sporti i xhudos do të përfaqësohet me më së shumti garues në këtë ngjarje, gjithsej tetë. Përveç Krasniqit, në Lojërat Mesdhetare nga xhudoja do të marrin pjesë edhe Akil Gjakova, Loriana Kuka, Laura Fazliu, Erza Muminoviq, Flaka Loxha, Arbër Kullashi e Shpati Zekaj, kurse mungon Nora Gjakova shkaku i lëndimit.

Boksi do të përfaqësohet me pesë garues, përfshirë këtu edhe boksieren Donjeta Sadiku. Elhami Shabani i prinë listës prej pesë karateistëve, kurse Egzon Shala asaj në mundje. Muhamet Ramadani së bashku me te garues tjerë, do të paraqiten në garat e atletikës, kurse ka përfaqësim edhe të sporteve tjera si noti, taekwondo, shigjetaria, shenjëtaria sportive, pingpongu, tenisi, gjimnastika e badmintoni.

“Krahas xhudos, presim medalje edhe nga boksi, karateja, mundja dhe atletika, pasi kemi potencial të mirë për ta bërë këtë. Qëllimi ynë është të japim maksimumin dhe ekipi të kthehet me sa më shumë medalje”, ka thënë kreu i KOK-ut, Ismet Krasniqi.

Në Oran, marrin pjesë 3.390 sportistë nga 26 shtete të Evropës, Afrikës dhe Azisë.

Kosovën e përfaqësojnë edhe 17 trajnerë e tre gjyqtarë.

Kosova për herë të parë në Lojërat Mesdhetare u paraqit në Tarragona të Spanjës, në vitin 2018, ku garuan 40 sportistë dhe u fituan katër medalje: tri të arta dhe një e argjendtë.

Përbërja e Kosovës për Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”

Xhudo: Distria Krasniqi (-52 kg), Akil Gjakova (-73 kg), Loriana Kuka (-78 kg), Laura Fazliu (-63 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Erza Muminoviq (-48 kg), Arbër Kullashi (-81 kg), Shpati Zekaj (-100 kg) – Trajnerë: Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi.

Boks: Donjeta Sadiku (-60 kg), Bashkim Bajoku (-52 kg), Shpëtim Bajoku (-63 kg), Patriot Behrami (-69 kg), Lorent Murati (-57 kg) – Trajnerë: Besim Brahimi dhe Faton Xhakli.

Mundje: Egzon Shala (-125 kg), Alban Sopa (-74 kg) – Trajner: Sylejman Shala

Karate: Elhami Shabani (-75 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Melos Gashi (-84 kg), Albulenë Gërvalla (-55 kg), Adelina Rama (-61 kg) – Trajnerë: Ylber Syla dhe Nazmi Gashi.

Atletikë: Muhamet Ramadani (hedhje e gjylës), Astrit Kryeziu (800 m.), Gresa Bakraqi (3000 m.), Alaudin Suma (hedhje e diskut) – Trajnerë: Shaban Ramadani dhe Bajram Duja.

Not: Alush Telaku (flutur: 100m., 200m., 50m), Vanesa Beka (delf. 100m., miks 200m., s.l. 400m., miks 400m., delf. 50m., s l. 800m.) – Trajner: Kujtim Kito.

Shigjetari: Hazir Asllani (70m. ind), Edi Dvorani (70m. ind), Valmir Gllareva (70m. ind) – Trajner: Fehmi Bylykbashi.

Shenjëtari Sportive: Nexhat Sahiti (10 m. pistoletë ajrore), Drilon Ibrahimi (10 m. pushkë ajrore) – Trajner: Fehmi Berisha.

Taekwondo: Arbër Azemi (-68 kg), Arbër Bajra (-80 kg) – Trajner: Nuhi Gashi.

Tenis: Vesa Gjinaj, Vullnet Tashi – Trajner: Jeton Hadërgjonaj.

Pingpong: Fatih Karabaxhaku, Kreshnik Mahmuti – Trajner: Dardan Imami.

Gjimnastikë: Elvis Çitaku, Valëza Rama – Trajner: Abeliana Bregu.

Badminton: Rinor Gllareva – Trajner: Lulëzim Haziri

Gjyqtarë: Latif Demolli (boks), Fatmir Salihaj (xhudo), Besart Vitia (karate)

Shpërndaje