Ad image

Botërori në Katar, shuma marramendëse që duhet të paguajë një tifoz për ta ndjekur

Kosova News
Kosova News 16:56 -10/06/2022

Më shumë se 1 milion tifozë pritet të zbarkojnë në Katar për Botërorin e këtij viti, por shqetësimet kanë nisur në lidhje me akomodimin e tyre. Që kur Katari fitoi të drejtën e organizimit të turneut në vitin 2010, autoritetet kanë nisur projekte gjigante infrastrukturore për të ndërtuar hotele dhe apartamente, por edhe 8 stadiumet fantastike në 5 qytetet ku do të luhet Botërori i këtij viti, për herë të parë në dimër për shkak të temperaturave të larta.

FIFA ka shitur 800 mijë biletat e kompeticionit, ndërsa mijëra të tjera pritet të përcaktohen për tifozët e 32 vendeve pjesëmarrëse. Katari planifikon të ketë 130 mijë dhoma gati për 28 ditët e turneut. Por grupet evropiane të tifozëve kanë shprehur shqetësime për disponueshmërinë e akomodimit dhe kostove të tyre, me shumë tifozë që mund të detyrohen të qëndrojnë në vend fqinje dhe të fluturojnë ditën e ndeshjes. Raundi i parë i shitjes së biletave u mbyll më 30 mars ku u shitën 800 mijë bileta. Raundi i dytë përfundoi në prill, ndërsa në total u regjistruan 23.5 milionë kërkesa për biletë.

Shumica e aplikimeve ishin nga Katari, ndjekur më pas nga Argjentina, Brazili, Anglia, Franca, Meksika, Arabia Saudite dhe SHBA-ja. Akomodimi është menduar të bëhet në fshatrat e përshtatur për tifozët të cilat janë drejt përfundimit, apartamente, hotele, madje edhe në anije dhe jahte, me dy gjigante si “MSC Europa” dhe “MSC Poesia” të cilat do të ankorohen në Grand Terminal në Doha gjatë muajit të Botërorit.

Shoqata e Tifozëve në Angli ka llogaritur kostot e një tifozi për të ndjekur të teta ndeshjet e turneut, duke u akomoduar në hotelet më të lira të vendit dhe blerë biletën gjithashtu më të lirë të mundshme, pa llogaritur këtu ushqimin dhe pijet. Dhe minimalisht kostoja është 5 mijë paund, afro 6 mijë euro. Nëse “Tre Luanët” dështojnë që në grup, kthimi në shtëpi për një tifoz mbyllet me diçka më shumë se 2 mijë paund. Konsumimi i alkoolit në Katar është një problem më vete për evropianët, duke qenë se ai është i kufizuar. Megjithatë, ai shërbehet në disa restorante hotelesh të licencuara dhe në bare, por do të jetë gjithashtu prezent edhe në vendet specifike të grumbullimit të tifozëve, edhe pse këto detaje nuk janë përcaktuar ende.

Kur Liverpuli fitoi Botërorin e Klubeve në Doha në vitin 2019, birra shërbehej në “fan-zona” dhe kushtonte 5 paund një gotë. Pak a shumë i njëjti çmim parashikohet edhe gjatë Botërorit. Sa i përket gardërobës, dihet që temperaturat do të jenë të larta. Këshilla është të merren me vete veshje të lehta, ndërsa gratë duhet të bëjnë kujdes. Sepse duke qenë një vend islamik, ato janë këshilluar nga ministria e jashtme që të mos veshin të shkurtra kur të hyjnë në ndërtesa qeveritare, në qendrat e kujdesit shëndetësor apo tregje dhe qendra tregtare. Katari do të presë Botërorin nga data 21 nëntor deri në 18 dhjetor.

Shpërndaje