Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetime ndaj Komunës së Deçanit për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës – të vitit 2016 – përmes të cilit, Manastirit të Deçanit i njihet pronësia edhe mbi 24 hektarë tokë.
Nisjen e hetimeve për këtë rast e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj.
“Po, hetimet i kemi filluar. Procedura është te ne, kaq mund të them tani. Janë duke u marrë disa veprime në këtë drejtim”, ka thënë shkurtimisht Kurmehaj.
Nisja e hetimeve vjen gati nëntë muaj pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dërguar një letër kryeprokurorit të atëhershëm të shtetit, Aleksandër Lumezi, në të cilën është thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit të ndërmarrë veprime” për moszbatimin e aktgjykimeve, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit – i cili ndodhet rreth 100 kilometra në perëndim të Prishtinës – nuk zbatohet tash e gjashtë vjet nga organet komunale të Deçanit. Sipas tyre, ata 24 hektarë tokë u takojnë dy ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, që ndodhen në këtë komunë.
Në deklarime të ndryshme, zyrtarët e pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë këtu kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kanë thënë se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e vitit 2016, ka legalizuar një vendim të vitit 1997 të ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmes të cilit, “toka i është falur Manastirit”.
Pas konfirmimit për nisje të hetimeve nga Prokuroria e Pejës, Radio Evropa e Lirë ka provuar disa herë të flasë me Ramosajn, por ai vazhdimisht ka thënë se është i zënë me takime.
Çfarë mund të sjellin hetimet?
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se nisja e hetimeve të tilla nga ana e Prokurorisë së Shtetit është një praktikë që nuk ka ndodhur më parë.
Ai shpreh dyshime nëse ky institucion ka bazë ligjore për t’i kryer këto hetime.
“Përderisa Kodi Penal i Republikës së Kosovës dhe Kodi i Procedurës Penale e përcaktojnë në mënyrë të qartë se institucioni i Prokurorit të Shtetit ka të drejtë të iniciojë apo të fillojë hetime në rastet kur nuk bëhet zbatimi i vendimeve gjyqësore të gjykatave të rregullta, një sanksion i tillë në Kodin Penal të Kosovës nuk ekziston sa i takon moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Në një deklaratë të mëhershme për REL-in, njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, njëherësh profesor i së drejtës kushtetuese, ka thënë se në ligj apo Kushtetutë nuk ekziston ndonjë sanksion konkret – penal apo çfarëdo qoftë – për subjektet që refuzojnë t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka deklaruar, po ashtu, më herët për REL-in se vendimi i Gjykatës Kushtetuese “është çështje e përfunduar” dhe se institucionet e Kosovës duhet ta zbatojnë atë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një konferencë për media më 1 qershor se Qeveria nuk është përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi dhe ka kundërshtuar përmbajtjen e tij./REL