Ad image

Pak ditë para vrasjes së 30 vjeçarit në Ferizaj, Prokuroria kishte pranuar kallëzimin penal për djegien e veturës

Kosova News
Kosova News 18:01 -31/05/2022

Më 27 mars të këtij viti në Policinë e Rajonit të Ferizajt kishte ndodhur një incident pasi një veturë ishte kapluar nga zjarri.Vetura që ishte raportuar si e djegur dyshohet se ishte në pronësi të vëllait të të dyshuarit kryesor për vrasjen e 30 vjeçarit G. H., e cila ka ndodhur mesnatën e 28 majit në Ferizaj.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin Rajonal të Policisë në Ferizaj, Basri Shabani, i cili konfirmoi se rasti i djegies së veturës ishte raportuar më 27 mars të këtij viti ndërsa më datë 16 maj, pra vetëm pak ditë para ngjarjes tragjike, kallëzimi penal për rastin ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Drejtori i Policisë në Ferizaj, Basri Shabani tha për KALLXO.com se pavarësisht dërgimit të kallëzimit penal, rasti nuk ishte mbyllur por në bashkëpunim me prokurorinë hetimet kishin vazhduar. Dosja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj tregon se vrasjes pretendohet se i kishte paraprirë ky incident me veturën e djegur.

Siç ka mësuar KALLXO.com, i dyshuari për vrasjen, Q. J., kishte pretenduar në polici se djegien e veturës e kishte kryer tashmë viktima G. H.Pas trajtimit të provave dhe shikimit të disa video-incizimeve, policia kishte konstatuar se viktima G. H., nuk kishte qenë i involvuar në rast ndërsa lënda në prokurori ishte dërguar me NN pra me person të pa identifikuar si të dyshuar për veprën penale që ishte iniciuar si zjarrvënie. Prokuroria siç mëson Kallxo.com ka filluar që të mbledh prova të tjera që lidhin rastin e vrasjes e cila ndodhi në Ferizaj. Gjithashtu burimet tregojnë se është kërkuar edhe intervistimi i dy personave si dëshmitarë. Të njëjtit pretendohet se kanë qenë shokë të viktimës dhe të dyshuarit.KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me veprimet policore edhe nga Policia e Rajonit të Ferizajt.

Të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. Pak pas mesnatës së 28 majit të këtij viti, rreth orës 00:53, G. H., 30 vjeçar, mbeti i vrarë në Ferizaj, pasi i njëjti u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q. J. Në dosjen e prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën e Ferizajt nga prokurori i shtetit, Shukri Jashari, janë dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja. Në këtë dosje tregohet se si njëri nga dëshmitarët e rastit ka deklaruar se i dyshuari Q. J., i cili është vëllai i rep-këngtarit Buta, i ka shkuar prapa me veturë të markës “Audi A7” viktimës pak para vrasjes.

Viktima G. H. së bashku me shokët e tij që ishin në veturë janë ndalur në një market në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.

Në dosje thuhet se gjatë kohës sa dëshmitari ishte brenda marketit ka dëgjuar disa të shtëna armësh dhe menjëherë ka vërejtur viktimën të kërrusur dhe të lënduar si pasojë e të shtënave. Pas kësaj, dëshmitari thuhet se e ka hipur viktimën në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente ku më pas nga mjekët është konstatuar vdekja e viktimës.

“Me deklaratën e dëshmitarit, i cili ka deklaruar se përderisa ka qenë së bashku me shokët e tij, një ndër ta edhe tani i ndjeri, i pandehuri Q. J. ju ka ardhur nga mbrapa me veturën e markës “Audi A7” dhe përderisa vet ka qenë brenda marketit, ka dëgjuar disa të shtëna dhe menjëherë ka vërejtur tani të ndjerin G. H. të kërrusur dhe i lënduar si pasojë e këtyre të shtënave nga ana e të pandehurit Q. J., prandaj menjëherë e ka hipur në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente, mirëpo aty nga mjekët ishin njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Në dosjen e prokurorisë po ashtu përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H dhe se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen.

Shpërndaje