Ad image

​Osmani: FSK e ka vendin në NATO

Alban Begolli
Alban Begolli 14:43 -09/06/2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pret që së shpejti Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, pas së cilit vendi ynë të arrijë anëtarësimin e plotë në NATO. Nga Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së, Osmani ka thënë se ushtria e Kosovës e ka vendin në NATO, derisa e ka konsideruar absurd faktin që Kosova ende nuk e ka marrë një ftesë për anëtarësim në PFP, ndërsa aty janë shtete anti-NATO, transmeton KosovaNews.

Osmani është pritur në Ministri të Mbrojtjes dhe pastaj ka zhvilluar takime edhe në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, e shoqëruar nga komandanti i Forcës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Në Shtabin e Përgjithshëm, Osmani ka thënë se kanë diskutuar zhvillimet në rajon, kapacitetet e FSK-së dhe planet dhe dokumentet e saj strategjike.

Ajo ka thënë se FSK është duke i rritur kapacitetet e saj operacionale dhe ndërvepruese, derisa ka shtuar se vendi i saj është në NATO.

Osmani: FSK e ka vendin në NATO

“FSK çdo ditë po i rrit kapacitetet e veta operacionale dhe ato ndërvepruese me NATO-n, në këtë organizatë ku FSK e ka vendin dhe për ku po punojmë të gjithë bashkërisht ku sa më parë të kemi fillimisht anëtarësimin dhe pjesëmarrjen në Partneritetin për Paqe, e pastaj në përputhje me zhvillimet edhe në FSK, edhe me planin e tranzicionit por edhe më përkrahjen që do ta kemi nga miqtë tanë, për anëtarësim të plotë në NATO”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka thënë se janë duke punuar me shtetet e NATO-s që katër vendet anëtare të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, mos të parandalojnë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

Osmani: Kosova e ka ndërtuar ushtrinë mbi parametrat e NATO-s por ende nuk e ka ftesën për anëtarësim në Partneritetin për Paqe

“Ne jemi duke punuar në radhë të parë me shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe me shtetet e tjera të NATO-s që të binden edhe ato katër shtete anëtare të NATO-s që akoma nuk e kanë njohur Kosovën që të mos e parandalojnë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe ku Kosova vërtet do të jetë një vlerë e shtuar dhe do të mund të kontribuojë. Jemi duke u përballur me një situatë absurde ku shtete si Serbia apo Bjellorusia e udhëhequr nga Lukashenko janë në Partneritet për Paqe, përkundër faktit që janë shtete anti-NATO dhe as nuk kanë ndonjë synim për tu anëtarësuar në të ardhmen në NATO, kurse Kosova një shtet që ushtrinë e saj e ka ndërtuar mbi parametrat e NATO-s, me ndihmën e NATO-s dhe vazhdimisht kontribuon për paqe dhe siguri jo vetëm brenda por edhe jashtë, akoma nuk e ka marrë një ftesë të tillë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka thënë se presidenten e kanë siguruar që ushtrua është duke u trajnuar me standarde të NATO-s.

Jashari: Presidenten e garantuam që FSK është duke u trajnuar me standarde të NATO-s

“E falënderoj presidenten që ka gjet kohë të është në repartet ushtarake, ne e njoftuam presidenten me zhvillimet dhe aktivitetin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe e garantuam që Forca e Sigurisë së Kosovës është duke u trajnuar dhe pajisur me standarde të NATO-s”, ka thënë komandanti i FSK-së./ KosovaNews/

TAGGED:
Shpërndaje