Me një ceremoni të veçantë të mërkurën në bazën ushtarake amerikane “Bonstill” është bërë ndërrimi i komandës ndërmjet KFOR 30 dhe KFOR 31.
Në fakt, komandanti i ekipit luftarak të Brigadës 116 të këmbësorisë, kolonel Christopher J. SAMULSKI e ka transferuar kompetencën komanduese të RC-E, komandantit të ekipi luftarak të Brigadës së 76-të të këmbësorisë, kolonel Chris M. MABIS, raporton KosovaNews.
Këtë ceremoni e ka drejtuar komandanti i KFOR-it, gjeneral Angelo Michele Ristuccia, i cili mes tjerash foli për misionin e qasjen e forcave paqeruajtëse në vendin tonë dhe kontributin e tyre për siguri në rajon.
Pjesë e kësaj ceremonie kanë qenë mysafirë të shumtë, si ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, mandej kryetar të disa komunave të Kosovës, si ai i Prishtinës, Përparim Rama, mandej i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ai i Shtimes, Qemajl Aliu dhe të tjerë.
E deri sa është bërë ndërrimi i komandës, pjesë e ceremonisë ka qenë edhe një fluturim i helikopterëve të forcave amerikane, të cilët në një formë demonstruan gatishmërinë për të përmbushur misionin që kanë për mandat.
Forcat ushtarake amerikane janë të pranishme në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s, që nga përfundimi i luftës dhe largimi i forcave serbe, në vitin 1999.
Forcat amerikane janë të stacionuara në kampin Bonstill, në afërsi të Ferizajt, rreth 40 kilometra nga Prishtina dhe operojnë së bashku me partnerët tjerë në kuadër të KFOR-it, misioni i të cilit në Kosovë realizohet në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Bonstill është kampi ushtarak amerikan i vetëm në Evropën Juglindore./KosovaNews/