Ad image

Ndalohet autobusi me emigrantë në Obiliq, arrestohet shoferi

Bekim Morina
Bekim Morina 12:29 -02/06/2022

Policia e Kosovës ka arrestuar shoferin e një autobusi, pasi i njëjti të mërkurën po voziste një autobus me 57 shtetas të huaj, të cilët kishin ardhur përmes rrugëve ilegale nga Turqia me synim shtetet e perëndimit.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se emigrantët janë dërguar në Qendrën e Azilit në Magure.

“Në fshatin Milloshevë të Obiliqit, më 01.06.2022 rreth orës 22:00, është ndaluar për kontrollim nga zyrtarët policorë të Njësisë së Trafikut Regjional të Prishtinës një autobus. Autobusi me targa vendore dhe me drejtues S.U., (viti i lindjes 1988, mashkull kosovar), kishte në bord 57 shtetas të huaj (48 nga Siria, 5 nga Egjipti, 2 nga Iraku, 1 nga Palestina dhe 1 nga Bangladeshi)”, thuhet në raport.

Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe në koordinim me të ndaj drejtuesit të autobusit është iniciuar rasti ‘kontrabanda me emigrantë’.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe më pas me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë.

Shpërndaje