Akuzat kundër një ish-agjenti të rangut të lartë të Byrosë Federale të Hetimeve në ShBA (FBI), se ai ka shkelur sanksionet duke punuar për oligarkun rus, Oleg Deripaska, vijnë në kohën kur autoritetet amerikane janë duke shtuar presionin kundër rusëve të pasur, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga ushtria ruse.
Ky rast tregon se si oligarkët rusë mund të depërtojnë në zemrën e shërbimeve të sigurisë amerikane, shkruajnë mediat botërore.
Aktakuza kundër ish-agjentit tregon se ai ka pasur lidhje të dyshimta biznesi me politikanë nga Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.
Puna për Deripaskën
Ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, është akuzuar për shkelje të sanksioneve të ShBA-së dhe pjesëmarrje në pastrim të parave, derisa ka punuar për Deripaskën, të cilin e ka ndihmuar të hetojë një oligark rival rus, shkruan gazeta The Financial Times.
McGonigal, i cili ka shërbyer si agjent special i kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në Nju Jork dhe ka hetuar Deripaskën derisa ka qenë në agjenci, është arrestuar më 21 janar, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë më 23 janar.