Policia e Kosovës njofton se e ka kapur dhe konfiskuar një armë të llojit pistoletë me pesë fishekë te një i mitur në Vushtrri.
Sipas njoftimit të lëshuar ditën e të premte, në orët e mbrëmjes të së enjtes, Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri dhe pas kësaj ka marrë veprimet e nevojshme.
“Me të pranuar informacionin janë ndërmarrë veprime të shpejta policore, ku pas një kohe të shkurtër njësitet policore kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin me ç’ rast nga i dyshuari I. K., i moshës se mitur, është konfiskuar një armë e llojit pistoletë me pesë fishkë. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se pas një mosmarrëveshje ndërmjet disa të rinjve, i dyshuari I.K., ka shtënë me armë në ajër, ku në cilësi të provës materiale është konfiskuar edhe një gëzhojë që dyshohet të jetë shkrepur nga arma e konfiskuar nga i dyshuari”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin në cilësi të të dyshuarit është arrestuar edhe një preson tjetër po ashtu i mitur, ku pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit të rastit, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.