Ad image

Familjarët kujtojnë momentet e vështira gjatë dëbimit të tyre me tren

Kosova News
Kosova News 16:18 -12/06/2022

Në 23-vjetorin e çlirimit të Kosovës, sot në Bllacë të Hanit të Elezit është mbajtur aktiviteti “Eksodi në Liri” te treni. Familjarë dhe luftëtarë me këtë rast kujtuan momentet e vështira gjatë dëbimit të tyre me tren.

Familjari Xhevat Shkreta ka kujtuar momentet e çlirimit 1999. Ai thotë se ka pasur mbi 8000 refugjatë, kryesisht fëmije, gra dhe të moshuar.

“Koha e atëhershme e çlirimit ka qenë tmerr i madh. Është e pamundur edhe të rikujtojmë. Ka qenë fluks i madh i refugjatëve, ka pasur me mijëra njerëz, mbi 8000 refugjatë, fëmijë, gra dhe të moshuar. Deportimi ka filluar në stacion të Han Elezit. Trenat kontrolloheshin nga Policia e Serbisë, i kanë përcjellë në këmbë dhe kalonin këtë pjesë ku ka qenë mbas vagonëve. Ka pasur maltretime të shumta. Ka pasur njerëz edhe me vetura të tyre, por të gjithë i kanë zbritur. Ky vend në përgjithësi ka qenë i minuar. Kemi përjetuar edhe njerëz që kanë ra në mina, ka qenë tmerr i madh”, ka thënë Shkreta.

Ndërsa, ish-pjesëtari i UÇK-së Mirvat Luta ka treguar se ka pasur luftime të ashpra në Bllacë, ku pjesa më e madhe ishte djegur dhe banorët ishin detyruar të largohen.

“Gjatë kohës së luftës 1999, kam qenë në fshat, ku kemi jetuar shumica e banorëve të fshatit. Më 27 shkurt deri më 24 mars ka pasur luftime të ashpra në fshatin tonë, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me policinë e ushtrinë serbe. Ne ato momente i kemi përjetuar shumë rëndë. Ka pasur viktima. Fshati ynë ka qenë 98 për qind i djegur. Nuk ka mbetur asgjë aty. Më 9 mars jemi tërhequr nga fshati, ka pasur rreth 800 banorë dhe jemi larguar në drejtim të magjistrales Kaçanik-Han i Elezit dhe aty na kanë marrë forcat serbe, i kanë ndarë burrat nga gratë dhe i kanë dërguar disa në stacionin e policisë ku i kanë keqtrajtuar, gratë i kanë dërguar në shtëpi të kulturës ku i kanë keqtrajtuar. OSBE-ja ka pasur ndikim të madh në atë kohë. Me ndihmën e tyre banorët në stacionin e policisë janë liruar si dhe gratë në shtëpi të kulturës. Gjatë kohës së luftës unë kam qenë pjesëtar i UÇK-së. Ne e kemi bërë krejt këtë rrugë, këta trena janë shumë të vogël në krahasim me numrin e madh të individëve sepse ka pasur nga të gjitha viset e Kosovës”, ka thënë Luta.

Manifestimi qendror për shënimin e 23-vjetorit të çlirimit të Kosovës vazhdoi me programin artistik nga ansambli “Zanat”.

23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës 78-ditore ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe./kp/

Shpërndaje