Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën e Apelit i është vërtetuar aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me të cilin aktgjykim Gani Geci ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 3.5 vjet burgim unik për veprën penale vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore.
Në vendimin e siguruar nga KosovaNews, Gjykata e Apelit i ka hedhur poshtë ankesën e Prokororisë Themelore në Mitrovicë dhe palës së dëmtuar duke e konsideruar si të pabazuar.
Gjithashtu Gjykata e Apelit ia ka hudhur poshtë edhe ankesën e avokatit të Gani Gecit i cili kishte kërkuar të shpallej i pafajshëm klienti i tij duke u arsyetuar se vrasja e Ruzhdi Shaqirit kishte ndodhur në kushte të vetmbrojtjes së nevojshme.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, apo shkelje tjera e të cilët kishin me kushtëzua anulimin e detyrueshëm të aktgjykimit dhe se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë. Kurse, në raport me vendimin mbi dënimin, meqenëse ankesat nuk kanë parashtruar ndonjë fakt të ri ankimor, kolegji i Gjykatës së Apelit është pajtuar me vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë në raport me rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.
Gani Geci ishte i akuzuar për vrasjen Ruzhdin Shaqirit në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014 gjë për të cilën ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe ishte dënuar me 3.5 vite burgim më 20.08 2021 nga të cilat 3 vite dënim për vepren penale vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore dhe 6 muaj burg për armëmbajtje pa leje.