Ad image

BE për deklaratën e ministrit të Jashtëm rus: Nuk komentojmë qëndrimet e personit që është i përfshirë në përhapjen e dezinformatave

Alban Begolli
Alban Begolli 15:52 -07/06/2022

Deklarata e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se Rusia mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, për të cilën tha se është iniciativë e Serbisë, ka nxitur reagime të shumta.

Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian nuk ka dashur të komentojë deklaratën e diplomatit rus, duke thënë se i njëjti është në listën e sanksioneve nga BE-ja.

Kështu është shprehur, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Ne nuk shohim të nevojshme të komentojmë qëndrimet e Lavrov, i cili është në listën e sanksioneve të BE-së për promovimin e agresionit të paligjshëm që minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe që është i përfshirë në përhapjen e dezinformatave”, ka thënë Stano.

Lavrov u shpreh se “udhëheqësit e Brukselit nuk donin të konfirmonin qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH, për të shprehur mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe për të diskutuar interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit”

Peter Stano- zëdhënësi i BE-së 

Duke iu referuar kësaj deklarate, Stano u shpreh se Rusisë nuk i takon të gjykojë bashkëpunimin e BE-së me vendet e Ballkanit.

“Përpjekjet destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor janë të njohura dhe Rusia nuk kualifikohet për të gjykuar bashkëpunimin e BE-së me partnerët në Ballkanin Perëndimor. Mund të kujtoj vetëm se aktivitetet e BE-së në Ballkanin Perëndimor janë përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj dëshirës dhe kërkesës së partnerëve tanë për të punuar ngushtë me BE-në dhe për t’iu bashkuar BE-së si një komunitet i kombeve që respektojnë të drejtën ndërkombëtare, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, tha Stano.

I pyetur se a e mbështetë Bashkimi Evropian iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, Stano tha se komisioneri Oliver Varhelyi do të marrë pjesë të mërkurën në samitin e “Ballkanit të Hapur” që po mbahet në Ohër.

Ndryshe, shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, duhej të fillonte të hënën një vizitë dyditore në Beograd, por kjo vizitë u pengua nga fakti se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ndaluan fluturimin e aeroplanit të tij mbi hapësirën ajrore të tyre.

Lidhur me këtë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price tha se Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut “si shtete sovrane kanë marrë vendime sovrane për hapësirën e tyre ajrore, gjë që pasqyron vendosmërinë e Evropës për të mbajtur Rusinë si përgjegjëse për invazionin e saj të padrejtë ndaj Ukrainës, e cila është e pajustifikuar”.

“Këto ishin vendime sovrane për hapësirën ajrore të këtyre tre shteteve sovrane, të cilat pasqyrojnë vendosmërinë e Evropës për të kërkuar llogari Rusisë për pushtimin e pajustifikuar të Ukrainës, gjë që nuk ka asnjë arsye. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të përqendrohet në qëllimin e saj për anëtarësimin në BE, duke përfshirë harmonizimin e politikave të saj të jashtme dhe të sigurisë me pjesën tjetër të Evropës”, tha Price.

“Ballkani i Hapur” është iniciativë që është duke u mbështetur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkohë që Kosova vazhdon ta refuzojë. /Telegrafi/

Shpërndaje