Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, në konferencën e përjavshme, ka thënë se Serbia, me urdhrin që u dha serbëve të Kosovës për t’u larguar nga institucionet, ka sfiduar edhe NATO-n.
“Situatat e krijuara në Veri, pas urdhrit të dhënë nga Beogradi për tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet në veri të vendit, ka shkaktuar vakum institucional, me qëllim të sfidimit të funksionimit të shtetit dhe ka ngritur kërcënime për qytetarët e vendit. Fakti që Serbia mund të jap kësi urdhrash, po ashtu mund të konsiderohet që këtë e ka bërë për ta sfiduar edhe NATO-n në Kosovë”, është shprehur Abazi.
Sipas tij strategjia dalëse nga kjo situatë, për t’ia hequr Serbisë çfarëdo justifikimi për të përdorur strukturat kriminale në veri, duhet ta kthejë Kosovën në tavolinën e bisedimeve me shtetet partnere për të akorduar qëndrimet dhe planin e përgjithshëm përtej dialogut dhe për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi të situatës sipas planit të Serbisë. “Ri fokusimi kërkon përfshirje të të gjithë akterëve relevantë dhe po ashtu transparencë lidhur me propozimet të cilat dalin nga Kosova në drejtim të palëve”, ka theksuar Abazi.