Ad image

Për 6 muaj, 90 mjekë e braktisën Kosovën

Kosova News
Kosova News 13:08 -02/06/2022

Sonte është hapja solemne e kongresit të tretë të mjekësisë “Pandemia Covid-19, sfidat dhe përvojat”, ndërsa nesër dhe pasnesër fillojnë punimet e kongresit, në të cilin janë regjistruar 2 400 mjekë.

Kongresi organizohet nga Oda e Mjekëve e Kosovës. Për të na njoftuar më shumë për kongresin dhe shumë çështje dhe probleme të shumta të mjekëve në QKUK, të ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmengjesi Kosovë” ishin Salih Ahmeti, kryetar i Këshillit Shkencor dhe Pleurat Sejdiu, kryetar i OMK-së.

Ahmeti tha se pandemia Covid-19 është në pëfundim, ndërkaq ky kongres është organizuar pikërisht në kohën ideale.

“Edhe pse nuk e kemi përfunduar plotësisht, duket se jemi në fund të pandemisë dhe përfundimi i pandemisë Covid-19 besoj se do të ishte jo e kompletuar pa një kongres kështu siç është paraparë të organizohet dhe mendoj se ky kongres është organizur edhe në kohën e duhur për faktin se në këtë kongres tema kryesore është kryesisht përvoja qoftë vendore e ndërkombëtare për problematikën e Covidit”, tha ai.

Ai shtoi se shëndetësia duhet të vlerësohet jo vetëm në periudha krizash, por edhe qetësie. “Si staf shëndetësor e kemi obligim ta kryejmë punën tonë në çfarëdo kushtesh dhe rrethanash. Përkrahja morale nga qytetarët dhe shoqëria në kohën e pandemisë nuk ka munguar, mirëpo mirë kishte qenë shëndetësia jo vetëm në periudha krizash, por edhe në periudha qetësie të çmohet e vlerësohet”, shtoi ai.

Ndërkaq, sipas Sejdiut, shqetësues dhe serioz është largimi i mjekëve nga vendi.

“Në dhjetë vjetet e ardhshëm 1300 mjekë specialistë, përfshirë edhe gjeneratën time, do të dalin në pension. Në gjashtëmujorin e parë 90 mjekë të rinj e kanë lëshuar vendin. Ne shohim që deri në fund të vitit do të jenë edhe 200, për dhjetë vjet 2000 veta”, tha Sejdiu. /rtklive/

TAGGED: , , ,
Shpërndaje