Ad image

Mbi 3 mijë barna të regjistruara, ndërsa mbi 800 me emra të pambrojtur ndërkombëtar

Kosova News
Kosova News 13:44 -29/11/2022

3767 barna të regjistruara, 858 me emra të pambrojtur ndërkombëtarë, ndërsa importet zakonisht 1500-2000 prej tyre.

Kështu u tha nga Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) sot në tryezën e diskutimit me temën “Legjislacioni në sektorin farmaceutik – Qasja në barna për pacientë”.

Arsim Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë, tha se në kuadër të planit legjislativ 2022, Ministria e Shëndetësisë ka qenë e fokosuar në plotësim-ndryshimin e ligjit për pajisje të produkteve mjekësore, hartimin e ligjit për rregullimin e çmimeve të barnave dhe nxjerrjen e akteve nënligjore siç është udhëzimi administrativ për regjistrimin e multivitaminave.

Ai tha se ky ligj duhet të miratohet sa më shpejt gjatë diskutimit publik, derisa shtoi se e njëjta vlen edhe për projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave.

“MSH është në proces të ndryshimit të këtij ligji, një ligj ky që për vite e mandate i nënshtrohet kësaj procedure, por që nuk ka arritur të finalizohet për arsyeje ndonjëherë të pashpjegueshme. Është koha që ky ligj të marrë përgjigje definitive duke rregulluar çështjet që tashmë janë treguar se kanë prodhuar probleme për sektorin, si pasojë e mos adresimit të duhur në kohën kur është bërë ligji apo edhe të zhvillimeve të cilat kërkojnë ndryshime. Me këtë synim presim involvim edhe me intensiv të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Odës së Farmacistëve, Shoqatës së Farmacistëve, por edhe të ekspertëve që ligji të miratohet gjatë diskutimit publik dhe konsultimeve publike. E njëjta vlen edhe për Projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave, të cilat grupi i punës përkatës me përfaqësim nga MSH-ja dhe institucione të ndryshme shëndetësore, përfshirë edhe Odën e ka hartuar dhe tash e ka dorëzuar në kabinet”, tha Berisha.

Berisha tha se duke u nisur nga fakti se qeveria ka dyfishuar buxhetin për barna dhe material shpenzues dhe ka ngritur në 300 milionë euro buxhetin vjetor për shëndetësi, krijohet mundësia që në listën e barnave esenciale të përfshihen dhe terapitë e reja, si ato për sëmundje të rralla dhe të zgjerohet terapia edhe për patologji tjera.

Kryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së, Sejdë Tolaj tha se përmes një grupi profesional të përbërë kryesisht prej drejtorëve të departamenteve kanë hartuar një plan të performancës për vitin 2023, në të cilin ka përcaktuar objektivat kryesore të këtij institucioni dhe ndër objektivat kryesore ka të bëjë me plotësimin e bazës ligjore, pasi që sektori farmaceutik ka nevojë që baza ligjore të kompletohet në tërësi.

“Ligji për produkte dhe pajisje medicinale, i cili ka qenë në plotësim-ndryshim edhe në këtë planin legjislativ të vitit 2022, ka disa dobësi, gjë që ka ndikuar në disa pika të mos implementohet si ligj… Por, ky aktivitet do të ndikonte shumë pozitivisht në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, sepse do të kishim shumë të hyra që do të grumbullonte Agjencia dhe të gjitha tarifat që paguhen prej operatorëve, këto të hyra dedikohen për buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Është momenti duhur që si sektor shëndetësor të mendojmë të fillojmë, ndoshta në vitin 2023 me regjistrimin e pajisjeve medicinale, gjë që do të ndikonte dukshëm në rritjen e të hyrave të buxhetit të Kosovës me këtë aktivitet”, tha Tolaj.

Arianit Jakupi, kryetar i OFK, tha se sot janë 858 barna me emra të pambrojtur ndërkombëtarë dhe regjistruara, të cilat janë 3767 forma të ndryshme, ndërsa shtoi se nga disa analiza të importeve janë rreth 1500 deri në 2000 prej tyre të cilat importohen.

Jakupi tha se është e nevojshme të zgjidhet problemi me barnatoret. Sipas tij në vend ka më shumë barnatore nga sa do të duhej të ishin, nëse krahasohen me vendet e BE-së.

“Sa i përket legjislacionit, problemeve, prioriteteve, është shumë e rëndësishme qasja në barna, është e drejtë themelore e pacientit… Si rezultat i këtyre ne sot kemi 858 barna me emra të pambrojtur ndërkombëtarë dhe të regjistruar, të cilat janë 3767 forma të ndryshme, por nga disa analiza të importeve ka qenë një publikim i mëhershëm, rreth 1500 deri në 2000 prej tyre importohen, do të thotë edhe ato të cilat janë të regjistruara zakonisht jo të gjitha do të importohen… Është parë që importet janë të shumta për barnat që nuk janë të regjistruara dhe për shumë vite udhëzimi ka qenë në fuqi, por që është parë nevoja për ndryshim… Si statistika në Kosovë ka rënë numri i barnatoreve. Te ne çdo kush mund të hapë barnatore, por në BE në shumicën e vendeve është vetëm farmacisti që mund ta hapë… Në grafikun shihet se prej vitit 1951 deri në vitin 2022 numri i barnatoreve në Kosovë ku do të duhej të kishim vetëm 264 barnatore, ne sot i kemi mbi 800 barnatore të licencuara, kurse sipas mesatares së BE-së, numri që do duhej të ishte në Kosovë është rreth 500, ndërsa në vend vetëm në dy vitet e fundit te ne janë hapur 264 barnatore”, tha Jakupi.

Shpërndaje