Iva Memaj është në mesin e mijëra shqiptarëve që këtë vit arritën të emigrojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe. Ajo ka folur se përse është larguar nga Shqipëria dhe çfarë jete e pret në Britaninë e Madhe. Ndërkohë, shoqja e saj flet për kontrabandën e emigrantëve.
Memaj u kontrabandua në një kamion për pesë ditë dhe me të mbërritur në Britani, ajo kërkoi azil. Duke folur për Sky News, ajo tha se ishte e emocionuar dhe ndihej e sigurt. Sipas saj, ka zbritur nga kamioni kur ka ardhur në Angli dhe pas kësaj ka ardhur një mik për ta marrë. Ajo theksoi se rumuni, i cili drejtonte kamionin, nuk mori kurrë 18 mijë paund që priste.
Memaj, e cila është 31 vjeçe, tani po përpiqet të zgjidhë statusin e saj, duke e ditur se mund të duhen vite. Ajo është e bindur se do t’ia vlejë, ndërsa jetën në Shqipëri e cilësoi të padurueshme. Ajo ishte një ndërmjetëse në vendin e saj. Ajo iu përgjigj pyetjes se pse vendosi të emigronte ilegalisht.
“Nuk ka kuptim. Por kur shikon Shqipërinë dhe mundësitë që ajo u jep të rinjve, atëherë ka kuptim. Unë dua vetëm të jetoj në një mjedis të lumtur. Unë dua të jetoj vetëm në një mjedis të sigurt. Unë dua të jetoj në një shoqëri të strukturuar dhe të organizuar mirë. Nuk dua të jetoj në kaos”, theksoi ajo.
Memaj është pjesë e asaj që sekretarja britanike e Brendshme, Suella Braverman e quajti “pushtim” emigrantësh, duke iu referuar ardhjes së një numri të madh shqiptarësh. Që nga fillimi i këtij viti, 12 mijë emigrantë kanë shkuar në Britani, kryesisht duke kaluar ilegalisht Kanalin Anglez me varka të vogla. Nga ky numër, 10 mijë janë burra pa familje. Për të pasur sukses në këtë, ata paguajnë kontrabandistët. Për këtë Memaj ka paguar mikun e saj 26-vjeçar Denis Arapi, i cili gjithashtu është nga Shqipëria. Të dy janë të arsimuar në Universitet dhe pranuan të flasin, duke besuar se azilkërkuesit nga Shqipëria jetojnë nën stigmë.
“Pse emigrantët e shohin veten si problem. Na shikoni si njerëz punëtorë”, ka thënë Arapi.
Shqipëria është një vend i sigurt për Britaninë e Madhe. Institucionet britanike besojnë se shumë azilkërkues po abuzojnë me sistemin dhe se ata janë viktima të skllavërisë moderne. Ata thonë se do të thyejnë “modelin e biznesit” të kontrabandistëve.
Si veprojnë kontrabandistët
Arapi, i cili dikur punonte në një spital privat në Shqipëri, tregoi se si kontrabandistët i bindin njerëzit të bashkohen me bandat e tyre kriminale në Britani. Siç tha ai, kur po kalonte Kanalin Anglez në korrik, ka biseduar me bashkatdhetarët e tij në varkë dhe gjysma e tyre synonin të kërkonin azil. Përveç kësaj, ata planifikonin të bënin punë ndërtimore për të cilat do të paguheshin me para në dorë derisa të shqyrtoheshin kërkesat e tyre për azil. Ai pretendon se një e katërta e të rinjve nga varka thanë se do të lidheshin me bandat kriminale që i kontrabanduan në Britani.
“Kontrabandistët e dinë se sistemi nuk është i mirë dhe e përdorin këtë si një pikënisje të mirë për t’i bindur njerëzit ta bëjnë këtë. Ata thonë: ‘Nuk do të merrni kurrë letra azili’, ‘nuk do të integroheni kurrë në shoqëri’, ‘ka raste që presin më shumë se tre vjet dhe nuk marrin leje pune’ “, shpjegoi Arapi.
Ai vuri në dukje se është shumë e vështirë të marrësh vizë për të ardhur në Britaninë e Madhe dhe se kërkimi i azilit është e vetmja mundësi.
Reagimi i kryeministrit të Shqipërisë
Kryeministri shqiptar Edi Rama kritikoi ashpër britanikët në fillim të këtij muaji dhe pas deklaratës së sekretares së Brendshme. Sipas Ramës, Britania e Madhe ishte shembulli i integrimit të minoriteteve, por që tani po bëhet një “shtëpi e çmendur”.
“Kjo nuk ka të bëjë me një person, ka të bëjë me atmosferën që është krijuar, që është për të gjetur një kok turku dhe për të fajësuar të tjerët. Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienët apo gangsterët, por për politikën e dështuar të menaxhimit të kufirit dhe luftimit të krimit. Një fjalor i tillë nuk është politikë, nuk është program, nuk është vizion, nuk është gjë tjetër veçse nxitje e ksenofobisë dhe shënjestrim i një komuniteti. Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania e Madhe, por jam i neveritur nga politika që është e dënuar të dështojë”, ka thënë ai.
Kryeministri shqiptar njoftoi më herët në Twitter se Britania e Madhe po diskriminon shqiptarët për të larguar vëmendjen nga, siç theksoi, një politikë e dështuar.
Mijëra shqiptarë u mblodhën sot në rrugët e Londrës për të protestuar pas deklaratës së Suella Bravermanit, për të përcjellur mesazhin se nuk janë kriminelë, por se janë taksapagues dhe kontribuues në shoqërinë britanike.