Në Tiranë zhvillohet samiti rajonal i transportit me diskutime për projekte strategjikë që afrojnë më shumë me njëri-tjetrin vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në samit marrin pjesë ministrat e transpotrtit dhe të lidhjeve si dhe të energjetikës të vendeve ballkanike.
Po ashtu janë të pranishëm edhe zyrtarë evropianë.
Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është duke finalizuar projektin e portit të ri të Durrësit, raporton korrespondenti i RTK-s Denion Ndrenika.
Sipas kryeministrit, ky projekt do ta shndërrojë Portin e Durrësit në të krejt Ballkanit Perëndimor:
“Kjo e kombinuar me hekurudhën Durrës-Prishtinë ndërkohë që mbas një kalvari të gjatë kemi mundur të zhbllokojmë dhe projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës si dhe me portin e Thatë te Prishtinës, projekt të cilin ne do ta paraqesim në mbledhjen dy qeverive në fund të muajit qershor, do t’i japë një fuqi të madhe të re krejt rajonit”.
Ministri i Kosovës, Liburn Aliu tha se se duhet ndërveprim për çështjet e transportit në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu zoti Aliu u ndal tek energjetika dhe te lidhjet mes këtyre dy drejtimeve:
“Kosova sot pothuajse gati 95 për qind të energjisë e ka nga prodhimi i qymyrit. Prodhimi i qymyrit nga njëra anë, transporti nga ana tjetër janë emetuesit më të mëdhenj të CO2 në vendin tonë. Nëse kemi ne varësi të madhe nga qymyri, atëherë na bie që karshi strategjisë tonë në reduktimin e qymyrit në energji dhe orientimin kah sistemet e ripërtërishme të energjisë duhet me një seriozitet të madh t’i përkushtohemi edhe zvogëlimit të këtyre ndikimeve nga fusha e transportit”.
Ndërkaq, kryeministri Edi Rama udhëton për në Ohër për takimin e “Ballkanit të Hapur”. /RTK/