Ad image

Kuvendi i Shqipërisë voton sot kandidaturën e Bajram Begajt për president

Jeton Sopa
Jeton Sopa 11:08 -04/06/2022

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në ora 18:00 për të votuar për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë ishte propozim i Partisë Socialiste dhe nëse zgjidhet, do të jetë presidenti i tetë pas pluralizmit, ndërsa i treti që vjen me karrierë ushtarake, pasi më herët e kanë mbajtur postin e kreut të shtetit ish-ushtarakët, Alfrd Moisiu dhe Bujar Nishani.

Emrin e tij e bëri publik kryeministri Edi Rama një ditë më parë, pas mbledhjes së kryesisë socialiste, duke e vlerësuar atë si figurën për të cilën kanë nevojë shqiptarët.

Pas publikimit të emrit të tij reagoi edhe grupi parlamentar demokrat i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj i cili e konsideroi atë si kandidatin e vendosur nga mafia e pronave shtetërore.

Më herët para se emri i tij të publikohej në media, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, bëri të ditur se ai dhe deputetët që e mbështesin, do të jenë në sallë për të votuar kundër, ndërsa Alibeaj deklaroi se nuk do të marrin pjesë në seancë, për të mos legjitimuar kapjen nga ana e shumicës dhe të institucionit të presidentit, raportoi A2 CNN.

Emri i Begajt do t’i dërgohet paraprakisht Grupit Parlamentar të PS, që do të mblidhet rreth orës 10:00, për të marrë nënshkrimet e nevojshme. Duhen të paktën nënshkrimet e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati për President të Republikës, që më pas do të depozitohen zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë.

Afati maksimal i përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve është ora 12:00 e 4 qershorit, ndërsa më pas, në orën 16:00 do të mblidhet komisioni i ligjeve, që do të shqyrtojë kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit të propozuar nga Partia Socialiste.

Në orën 18:00 Kuvendi do të zhvillojë raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri, teksa Partia Socialiste ka paralajmëruar se do t’i japin vendit kreun e ri të shtetit.

Partia Socialiste i disponon votat për zgjedhur e vetme presidentin e ri, pasi sipas Kushtetutës, në raundin e katërt dhe të pestë, ai mund të zgjidhet me 71 vota.

Shpërndaje