Ad image

Çështja e detit me Greqinë, Meta: Deklaratat e Dendias, të pavërteta

Bekim Morina
Bekim Morina 18:51 -30/05/2022

Kryeministri Edi Rama nuk është konsultuar me mua për negociatat mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për çështjen e detit, shprehet presidenti Ilir Meta.

Kryeministri Edi Rama nuk është konsultuar me mua për negociatat mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për çështjen e detit, shprehet presidenti Ilir Meta.

Komentet e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias se ka penguar negociatat pasi nuk i ka dhënë autorizimin kryeministrit Rama, presidenti Meta i cilëson “tërësisht të pavërteta”, ndërsa shprehet se nuk është informuar për ecurinë e negociatave mes dy qeverive.

“Edhe pse kjo çështje paraqet interes shumë të larta, kryeministri nuk ka qenë transparent. Presidenti nuk është në dijeni nëse mes dy qeverive është miratuar apo rënë dakord për të ndërprerë, pezulluar apo për të dalë nga negociatat. Presidenti nuk është informuar se me çfarë akti qeveria ka kaluar në negociata, kryeministri nuk është konsultuar apo nuk është pajisur me autorizim nga Presidenti i Republikës”.

Meta tha se në rolin e presidentit, i ka kërkuar tri herë kryeministrit Rama që t’i udhëheqë ai negociatat, por nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare për autorizimin nga ana e kreut të qeverisë.

“Dua të sqaroj se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Bushati, paraqiti kërkesën për nisjen e procesit të negociatave me Greqinë për zonat e tyre detare. Pas paraqitjes së informacioneve shtesë, Presidenti autorizoi ministrin që sipas kritereve të lëshojë fuqinë për negociatorëve.

Grupi negociator është pajisur me autorizim për kufizimin e zonave detare. Sipas autorizimit, vetëm grupi negociator është mandatuar për të negociuar me palën greke. Në prill-qershor 2018 janë zhvilluar tri negociata. Presidenti është vënë në dijeni për disa shqetësime serioze. Mes presidentit dhe kryeministrit është realizuar një takim ku u dakordua që kryeministri t’i udhëhiqte negociatat me shtetin grek. Kur kryeministri nuk po merrte asnjë vendim, me shkresë, Presidenti rikërkoi ndërhyrje për përshpejtim. Sërish nga kryeministri nuk pati asnjë reagim.

Në mungesë të reagimit, Presidenti përmes një shkrese i rikërkoi ndërhyrjen e tij, duke marrë drejtimin e këtij procesi. Sërish nuk pati asnjë reagim. Nga kryeministri i cili mbajti njësoheshit rolin e ministrit, nuk është përcjellë asnjë informacion mbi ecurinë e këtij procesi”.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në një intervistë për mediat greke, pak pasi u kthye nga Tirana tregoi se zgjidhja e çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë për Athinën do të merr rrugë vetëm pasi nga Presidenca të largohet Ilir Meta.

“Kemi rënë dakord të shkojmë në Hagë për çështjen e detit për të vendosur dhe zbatuar të drejtën ndërkombëtare. Por kjo nuk është bërë ende pasi presidenti aktual nuk i jep autorizimin e nevojshëm kryeministrit dhe Presidenti tjetër do të zgjidhet gjatë dy tre muajve të ardhshëm, pra të gjitha këto do të zbatohen”, tha ai./tch

Shpërndaje