Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, deklaroi se ashtu si Serbia, edhe Kosova, janë fajtore për faktin se progresi në negociatat ndërmjet tyre është i ngadalshëm.
“E di që është më e lehtë të fajësohet (presidenti serb Aleksandar) Vuçiq, por ai e kupton që e ardhmja e Serbisë nuk do të jetë në Rusi apo Pekin”, tha ajo.
“Populli i tij nuk do të studiojë apo blejë në Moskë. Shumica e të rinjve në Serbi e shohin të ardhmen e tyre në pjesën perëndimore të Evropës”, shtoi ajo.
Viola von Cramon, përfaqësuese e të Gjelbërve, i konsideron të dyja palët njëlloj fajtore për vonesën e negociatave dhe nënshkrimit të marrëveshjes.
“Por Prishtina nuk i lehtëson gjërat dhe nuk ndihmuan aspak duke u thënë të gjithëve para takimit në Ohër se nuk do të pajtoheshin me asgjë të ngjashme me Asociacionin”, deklaroi ajo, raporton në agjencia kroate e lajmeve Hina.

“Unë mendoj se faji është, për fat të keq, i ndërsjellë”.
Ky medium raporton se javët e fundit negociatat janë intensifikuar, kështu që kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, u takuan dy herë, në fund të shkurtit në Bruksel dhe në mes të marsit në Ohër, ku me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Cramon-Taubadel tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndoshta do të ofrojë ndonjë propozim për zbatimin e Asociacionit, por pyetja është se sa serioz do të jetë propozimi dhe nëse do të përfshijë mendimin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i vendit.
“Nëse nuk gjejmë një kompromis nga të dyja palët, nuk do të shohim përparim të rëndësishëm në integrimin evropian apo stabilizimin e rajonit”.