Kryeparlamentari grek, Konstantin Tassoulas, e ka siguruar homologun e tij nga Kosova, Glauk Konjufca se shteti helen, do të vazhdojë qasjen konstruktive ndaj Kosovës. Kështu ka njoftuar Konjufca, nëpërmes një adresimi në llogarinë e tij në rrjetin social facebook, të cilin e ka bërë pas takimit me kryetarin e Parlamentit të Republikës së Greqisë.
Konjufca po qëndron në Athinë, në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
“E falënderova z. Tassoulas për përkrahjen që vendi i tij i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë etapave shtetndërtuese si dhe kërkova prej tij thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve tona”, ka shkruar Konjufca.
Kryetari i Parlamentit të Republikës Helene Tassoulas shprehu falënderimet e tij për diskutimet konstruktive të delegacionit tonë nga Kosova. Në takim, Konjufca ka thënë se kanë diskutuar edhe për zhvillimet globale dhe janë pajtuar se përpjekjet për ruajtjen e paqes duhet të intensifikohen. Kosovanews