Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se të enjten e javës së ardhshme, pritet të mbahet seanca e re ku do të diskutohet çështja e tërheqjes së 10 deri në 30 për qind të mjeteve të kursimeve nga Trusti.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën, Tahiri ka thënë se nuk ka pasur kuorum që të përcaktohet seanca e radhës, por është rënë dakord që vazhdimi i seancës me pikat e papërfunduara të mbahet gjatë javës së ardhshme, e pas saj të caktohet edhe data për seancën ku pikë e rendit të ditës do të jetë Trusti.
“S’kishte kuorum që të përcaktohet seanca e radhës, u dakorduam që vazhdimin e seancës me pikat e papërfunduara ta kemi të hënën e ardhshme dhe po ashtu në ditën e hënën do ta përcaktojmë rendin e ditës për seancës e radhës në të cilën do të trajtohet edhe çështja e Trustit. Kjo është kërkesë e qytetarëve që e kemi adresuar ne që për një përqindje të caktuar t’iu jepet e drejta qytetarëve të kenë qasje në këto mjete që këtë periudhë që jemi duke e kaluar me vështirësi si rezultat i ngritjes së çmimeve, ta kalojnë sa më lehtë. Ndërsa seanca e re pritet të mbahet ditën e enjte”, ka thënë ai të hënën.
Tahiri shpreson që edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj të reflektojnë karshi kësaj kërkese.
“Kjo duhet të shihet si një angazhim i yni i përbashkët që t’iu krijojmë hapësirë qytetarëve ta kalojnë sa më lehtë krizën”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të raportojë në Kuvend për angazhimin e tij në politikën e jashtme, veçanërisht për dialogun.
“Deri tani e kemi parë një arrogancë dhe një papërgjegjësi shumë të madhe nga z.Kurti karshi jo vetëm opozitës por edhe qytetarëve të Kosovës. Presim që të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe të raportojë për gjithë angazhimin e tij në politikën e jashtme e në veçanti me Republikën e Serbisë. Ne ende nuk e kemi bërë një kërkesë të tillë”, ka thënë ai.
Kritikave të Tahirit për mostransparencë të Kurtit, iu përgjigj deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
“Kryeministri Kurti është shumë transparent, mirëpo kërkesën për debat në emër të opozitës nuk mund ta bëjmë”, ka thënë ai. /Koha/