Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke.
Autori i raportit për Serbinë, Vladimir Bilçik (EPP), i cili vjen nga Sllovakia, u tha gazetarëve se nuk ishte i kënaqur që shprehja “njohje reciproke” është përfshirë në tekstin e amendamentit.
“Shumica e qeverive e njohin Kosovën dhe kanë shumicën në Parlamentin Evropian dhe ka qenë vendim politik i shumicës politike që ta përfshijë këtë në tekst. Po, çështja e njohjes reciproke është në tekst, por njohja nuk është në dorën e Parlamentit dhe këtë duhet ta kuptojë publiku serb”, tha Bilçik.
Ai ritheksoi se çështja e njohjes së Kosovës është privilegj dhe e drejtë ekskluzive e qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe se në këtë moment nuk sheh ndonjë përparim drejt njohjeve të mundshme.
Në këtë drejtim, ai konfirmoi se është në kontakt me Qeverinë e tij në Sllovaki dhe shprehu besimin e tij se çështja e njohjes “nuk është temë” në Bratislavë.
Për raportin përfundimtar për Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit (AFET) votuan 50 anëtarë të AFET-it, pesë ishin kundër dhe tre abstenuan.
Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në vend, raporti i votuar përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Beograd në janar të Autoriteteve në Beograd u kërkohet të “tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozicionet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.
Bilçik tha pas votimit se dëshira e tij është që pas zgjedhjeve të prillit dhe luftës së agresionit rus, partnerët në Serbi të kuptojnë se sa urgjente është të shkohet para në rrugën e tyre evropiane.
“Mund të bëhet më shumë për të ecur me vendosmëri drejt BE-së dhe si raportues i PE-së jam i gatshëm të punoj së bashku me lidershipin e ri në Beograd për të ndihmuar në arritjen e ndryshimeve pozitive për Serbinë evropiane”, tha Bilçik.
Raporti i plotë:
Raporti për Serbinë mirëpret faktin që anëtarësimi në BE vazhdon të jetë qëllimi strategjik i Serbisë, ndërkohë që shpreh keqardhje për mungesën e progresit dhe madje edhe kthimin prapa në çështjet që janë thelbësore për anëtarësimin në BE. Duke vlerësuar kthimin në një parlament më pluralist pas zgjedhjeve në Serbi më 3 prill 2022, deputetët bëjnë thirrje për përparim në sundimin e ligjit, të drejtat themelore, lirinë e shprehjes, forcimin e pluralizmit mediatik dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Raporti, i miratuar me 50 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime, shpreh keqardhjen e fortë që Serbia nuk është përafruar me sanksionet e BE-së pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë dhe u bën thirrje autoriteteve të sapo zgjedhura që urgjentisht të harmonizohen me vendimet e BE-së kundër Rusisë. Anëtarët shprehin shqetësimin për përhapjen e dezinformatave dhe u bëjnë thirrje autoriteteve serbe dhe Komisionit Evropian që të luftojnë dezinformimin, propagandën ruse dhe kërcënimet e tjera hibride në Ballkanin Perëndimor.
“Pas zgjedhjeve të prillit 2022 dhe luftës së agresionit të Rusisë, është dëshira ime e sinqertë që partnerët tanë në Serbi të kuptojnë ndjenjën e urgjencës për të ecur përpara në rrugën e tyre evropiane. Raporti i vitit 2021 pasqyron realitetin politik në Serbi me një fokus të veçantë në rëndësinë e reformave dhe harmonizimit në vazhdim. Ne vërejmë se mund të bëhet më shumë për të ecur me vendosmëri drejt BE-së dhe si raportues i Parlamentit Evropian, jam i gatshëm të punoj së bashku me lidershipin e ri në Beograd për të ndihmuar në arritjen e ndryshimeve pozitive për një Serbi evropiane “, tha raportuesi Vladimir Bilçik./kp/