Ad image

​Osmani takon Dendias: Kërkon mbështetjen greke për anëtarësim në KE

Alban Begolli
Alban Begolli 16:45 -08/06/2022

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe rajonin, transmeton KosovaNews.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias, ku u diskutua edhe mbi zhvillimet e krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë.

Në takim me ministrin Dendias, presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia.

Ajo ka përmendur rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj.

Osmani ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme, turizëm, kulturë si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm./KosovaNews/

Shpërndaje