Ad image

Osmani e Kurti kërkojnë drejtësi për krimet serbe: Po punohet në adresimin institucional të së kaluarës

Kosova News
Kosova News 14:23 -12/06/2022

Manifestimi Qendror për shënimin e 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe u shënua te Treni Muze “Nga Eksodi në Liri”, në Ballcë të Hanit të Elezit, prej ku mijëra shqiptarë ikën nga Kosova. Nga aty krerët shtetërorë thanë se rruga e Kosovës është drejtë integrimit euroatlantik, derisa shprehën përkushtimin për të kërkuar drejtësi për krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë.

I gjithi ky manifestim u organizuar nën patronazhin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila tha se Bllaca 23 vite më parë ishte strehë dhe shpresë për popullin e Kosovës, pasi vetëm disa hapa ishin larg nga ndenja e sigurisë në tokën e shtetit fqinj.

E para e shtetit të Kosovës deklaroi se nuk do të rreshtin duke kërkuar drejtësi për gratë e dhunuara e të zhdukurit, ndërsa theksoi se Evropa rilind me një Kosovë të integruar në familjen e BE-së.

Presidentja theksoi se liberalizimi i Kosovës duhet të ndodh sa më parë, kështu duke e bërë vendin pjesë të strukturave euro-atlantike.

“Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për gratë e dhunuara, për të zhdukurit me dhunë, sikurse edhe për të gjitha viktimat civile. Do t’i mbajmë gjallë rrëfimet për të gjitha ata që kontribuuan e sakrifikuan që ranë për liri dhe fati i të cilëve mbetet peng akoma për ta ruajtur kujtesën, por orientimin do ta kemi përpara sepse jemi popull që shikon dhe ecën nga e ardhmja gjithnjë duke e kuptuar që paqja nuk është e mundur pa drejtësi…Sot Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e BE-së, ky synim i yni nuk duhet të mbetet peng ndaj liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më parë e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike, aty ku e ka vendin. Kosova ka bërë hapa përmbajtësor drejtë të ardhmes së saj euro-atlantike, duke qenë një shtet i dominuar nga rinia, përpjekja jonë e vazhdueshme është që Kosovën ta shndërrojmë në vend ku ata e krijojnë dhe kanë perspektiven e tyre, këtë po e bëjmë çdo ditë, potenciali i rinisë kosovare është i jashtëzakonshëm, andaj atyre duhet t’u jepet dhe t’u krijohet mundësia”, theksoi Osmani-Sadriu.

Presidentja Osmani-Sadriu deklaroi se më 12 qershor 1999 erdhi liria, morën fund shtypja e vrasjet dhe zuri thellë krijimi i shtetit më të ri në botë.

“Shteti i Kosovës është projekti më i rëndësishëm i yni i ndërtuar mbi sakrifica të mëdha, por edhe projekti më i rëndësishëm i politikës amerikane-evropiane, si dhe i të gjithë atyre që u vunë krah nesh, krah lirisë e demokracisë. Sot jemi këtu jo për të mbetur pengë të historisë por për ta kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme, për t’i kujtuar gratë dhe burrat e UÇK-së dhe gratë dhe burrat e Aleancës Veri-Atlantike, të cilët e bënë të mundshme realizimin e ëndrrës shekullore për liri e shtet. Jemi këtu për të shikuar përpara dhe për të kujtuar figurat emblametike për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Do ta kujtojmë përherë përpjekjen diplomatike të urtë dhe këmbëngulëse të presidentit historik, Ibrahim Rugova për Kosovën shtet, do të jetojmë gjithnjë për heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari me familje të cilët u bënë gurthemel të lirisë sonë“, tha ajo.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se në çdo 12 qershor kujtohet lufta dhe përjetimet për të mbrojtur tokën dhe shtëpinë tonë.

Sipas tij, 23 vite më parë në Bllaca qindra e mijëra shqiptar kaluan ditë e natë duke shpresuar se shpëtimi i tyre gjendej përtej kufijve.

“23 vite rrugëtim për të arritur lirinë që e kemi ëndërruar gjithmonë, 23 vite kur aeroplanëve të NATO-s mbi Kosovë iu është bashkangjitur këmbësoria e NATO-s në Kosovë, teksa largonte forcat e Serbisë dhe takonte ushtarët e UÇK-së dhe refugjatët civil, e kjo e fundit është aq shumë e dhimbshme sa që ndjenjë e papërshkrueshme për shumë prej nesh që jetojmë sot këtu pikërisht në Bllacë, në vendin ku qindra mijëra shqiptarë ku kanë kaluar ditë dhe nate të tëra nëpër tenda në baltë, diell dhe shi duke shpresuar që shpëtimi gjendet përtej kufijve, qindra mijëra bashkatdhetarë kanë kaluar net të tëra pa gjumë pikërisht në këtë pjesë të zemëruar dhe të indinjuar për dëbimin e tyre të dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe të rraskapitur e të dërmuar nga ndjenja e lodhjes fizike dhe shpirtërore,” ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh se po punojnë fort në adresimin institucional të së kaluarës, si dhe bërjen përgjegjës të Serbisë për krimet e saj të kryera në Kosovë.

Por theksoi se në data si kjo e sotmja duhet të shënojmë përpjekje të re me kërkesë më të lartë në integrimin evropian e euro-atlantik.

“Jemi duke punuar fort në adresimin institucional të së kaluarës, si dhe bërjen përgjegjëse të Serbisë për krimet e saj të kryera në Kosovë mbi ne. Prandaj në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë e duke kujtuar luftën ta ruajmë paqen, ta shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi, të brezit tonë e të gjeneratave që vijnë, pjesëmarrjen sa më të ndershme të shumicës së shoqërisë sonë duhet që sa herë që mbërrin kjo datë ta shënojmë një përpjekje të re në programin socio-ekonomik dhe një kërkesë më të lartë në integrimin evropian e euroatlantik në këtë mënyrë duhet ta festojmë ditën e Çlirimit të Kosovës duke deklaruar përpjekjet e reja në kuadrin e realizimit të projektit ku na vendos çlirimi ynë”, ka thënë Kurti.

Një nga refugjatet e luftës së Kosovës, Sherife Luta, fotografia e të cilës në kohën e luftës ishte bërë imazh në shumë gazeta ndërkombëtare, tha se të flas për atë që ndodhi para 23 viteve është rrëfimi më i dhimbshëm i saj.

Derisa ndau disa nga momente që kishte kaluar atë kohë, ajo tha se këtu në Bllacë u bë protagoniste e mediave botërore përmes një fotografie që ishte dëshmi e sakrificës së një refugjateje që regjimi serb e përzuri nga shtëpia.

“Këtu unë u bëra protagoniste mediave botërore ku njëra nga fotografët e shkrepën foton teksa mbaja në duar vajzën time si një dëshmi e sakrificës të një refugjateje të cilën regjimi gjenocid serb e përzuri nga shtëpia. Nga shtëpia e cila e gjetëm gjithë të djegur kur u kthyem në muajin gusht, të vitit 1999 kure dhe i dhamë fund qëndrimit si refugjatë në Maqedoninë e Veriut. 23 vjet pas kësaj ngjarje më duke se kemi lindur vajza ime Besa do ta kujtoj sa të jetë gjallë këtë pjesë të dhimbshme të historisë së saj. “Jemi krenar dhe të lumtur që po jetojmë në shtetin tonë për të cilin u derdh shumë gjatë ranë shumë dëshmor e viktima civile për Kosovën nuk është e mjaftueshme asgjë unë jam e lumtur që familjen time kemi filluar jetën duke bërë një shtëpi të re”, u shpreh ajo.

Në këtë manifestim i pranishëm ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovë, Glauk Konjufca dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.

Ky manifestim qendror për shënimin e 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga regjimi serb vazhdoi me program artistik nga ansambli “Zanat”.

Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, që zgjati 78 ditë.

23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara, duke i dhënë fund luftës në Kosovë./kp/

Shpërndaje