Një deklaratë shokuese ka dhënë në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe pas saj menjëherë ka reaguar Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje nga kjo komunë.
Madje kjo parti ia ka kujtuar kryetarit Gashi se fshehja e këtij krimi e inkriminon edhe vetë atë, po aq sa kryesin.
“Deklarata skandaloze e kryetarit të komunës lidhur me arsyetimin se pse drejtorët nuk duhet të ulën përball këshilltarëve komunal. Ai hedh akuza direkte se në mesin e këshilltarëve komunal ka të tillë që kanë dhe kanë pasur vepra për ngacmime seksuale, por nuk deklarohet se kush është ai ose ajo. I kujtojmë kryetarit se fshehja e krimit e inkrimonon po aq sa vetë kryesin/en e tij/saj”, thuhet në reagim.
Tutje Vetëvendosje ka ftuar organet kompetente që të merren me këtë deklaratë dhe të zbardhet e vërteta e këtij deklarimi skandaloz.
Kryetari Xhafer Gashi gjatë përballjes me asamblistët bëri deklaratë me të cilën pretendonte se brenda sallës së Kuvendit Komunal ka ngacmues seksual.
Ai tha kështu kur foli lidhur me arsyetimin se pse drejtorët nuk duhet të ulën përball këshilltarëve komunal.
“Qajo fjala me dalë drejtorët përpara. Ju kam thënë a doni me dalë knena, por po tutën që po i ngacmon najkush seksualisht se po thonë që ka njerëz që kanë pasur vepra për ngacmime seksuale. Veç atë tutë e kanë”, tha Gashi, duke mos dhënë detaje e përmendur emër se për kë ka fjalën.
Kujtojmë se vepra e ngacmimit seksual është vepër penale brenda Kodit Penal.
Sipas përkufizimit brenda Kodit Penal, “ngacmimi seksual nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”.
Varësisht nga rrethanat e kryerjes së veprës, dënimet për këtë vepër mund të jenë deri në pesë vjet burgim.