Një marrëveshje prej mbi 25 milionë euro është nënshkruar të martën për Programin e Sigurisë së Ujit në Kosovë.
Kjo Marrëveshje është arritur në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava, i cili është zbatues i Projektit.
“Sapo nënshkruam marrëveshjen subsidare për nxitjen dhe levimin e mundësive për Programin e Sigurisë së Ujit. Sipas marrëveshjes së financimit ndërmjet Përfituesit dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (“Asociacioni”) të datës 13 korrik 2020 (“Marrëveshja e Financimit”), Asociacioni ka rënë dakord të vërë në dispozicion të Përfituesit një kredi në shumën prej njëzet e pesë milionë e njëqind mijë euro (25,100,000 €) me qëllim të financimit të Projektit për Programin e Sigurisë së Ujit”, ka bërë të ditur ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, LIburn Aliu.
Ai shtoi se përfituesi pranon të vërë në dispozicion, përmes ndarjes buxhetore të MMPHI te subjekti Zbatues i Projektit, shumën prej dymbëdhjetë milionë e katërqind mije euro (12,400,000 €) (Granti) nga të ardhurat e kredisë sipas afateve dhe kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje dhe Marrëveshjen e Financimit.
