Kryeministri Albin Kurti, ka përmendur disa elemente simbolike, për të cilat, mendon se janë arsyet që shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, zgjodhi Maqedoninë e Veriut, për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi.
Në këtë rast, Kurti përmendi se Kumanova njëra ndër vendet historike, ku u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit, si njëra ndër specifikat kryesore që Borrell ka bërë zgjedhjen e tij.
”Mos të harrojmë që më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë ishte nënshkruar kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe së hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë mendoj që këto elemente simbolike kanë qenë të rëndësishme për Josep Borrell që të na ftojnë këtu për takimin e radhës të nivelit të lartë”.
Po ashtu ai ka përmendur edhe progresin e Maqedonisë së Veriut në sundimin e ligjit dhe integrimeve evropiane.
“Shkupi është qyteti i madh më i afërt me Prishtinën, po ashtu mendoj që ka impakt të madh në rajonin në kuptim që Maqedonia e Veriut është një vend i cili avancon në kontekst të demokracisë, sundimit të ligjit dhe në kontekst të integrimeve evropiane. Republika e Kosovës zë vendin e 84 nga 180 veende dhe Maqedonia është në vendin e 85 për sundimin e ligjit. Në këtë kuptim jemi kampion për më të mirët”, ka thënë Kurti.
Kreu i ekzekutivit përmendi disa nga sukseset e tij që thotë t’i ketë arritur në qeverisje, ndërsa po ashtu foli edhe për një forum biznesi që sipas tij planifikohet të organizohet në mes Kosovës dhe Serbisë.
Këto deklarata, kryeministri Albin Kurti, i dha gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik në Shkup, ku theksoi se normalizimi i raporteve me Serbinë mund të bëhet vetëm nëpërmjet njohjes së ndërsjellë.
Kurti kujtoi se kjo është thënë edhe nga presidenti i ShBA-së, Joe Biden, sekretari amerikan Antony Blinken e kancelari gjerman Olaf Scholz.