Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja kërkoi që fillimisht të mundësohet të rritet paga minimale për 120 mijë vajza dhe djem që punojnë dhe e kanë pagën midis 130-170 euro, e pastaj të bëhet një debat paralel për nevojat e veteranëve, transmeton KosovaNews.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Muja, ka thënë se lidhja e pagës së veteranëve të luftës është shkëputur nga paga minimale në vitin 2016.
“Nuk po themi që veteranët paguhen mjaftueshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se përmes ligjit Qeveria dëshiron ta rris pagën minimale.
“Asnjëherë nuk është thënë këtu që të gjitha propozimet që i ka edhe opozita janë të paarsyeshme. Nuk ka pas lidhjes në mes të pagës minimale dhe pagesave të veteranëve që një kohë të gjatë. Ajo lidhje është shkëputur në vitin 2016, është mirë të kuptohet kjo”, ka thë Muja.
Ai ka elaboruar dhe arsyetuar propozimin qeveritar për pagën minmale, duke thënë se ajo është instrument i tregut të punës.
“Dhe ky prioritet i dedikohet 120 mijë vajzave dhe djemve që punojnë dhe e kanë pagën midis 130-170 euro dhe ne po themi që fillimisht na lejoni të adresojmë kushtet e jetesës të kësaj shtrese shoqërore që paguhen shumë më pak sesa veteranët”, ka shtuar Muja.
Pas rritjes së pagës minimale, ai ka thë se duhet bërë një debat paralel për nevojat e veteranëve.
“Asnjëherë nuk po themi që veteranët paguhen mjaftueshëm, por fillimisht ta rrisim pagën minimale e pastaj ta bëjmë një debat paralele për nevojat e veteranëve. Në këtë fazë ne mendojmë se kjo duhet të procedohet, duhet të shkojë tutje pastaj të fillohet një debat sa i përket pagesave për veteranët”, u shpreh ai.