Asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se në seancën e kaluar të Kuvendit Komunal të Prishtinës, kryetari Përparim Rama dhe Drejtori i Urbanizmit kërkuan nga asamblistët të votojnë për shfuqizimin e Rregullores për ndërtime të përkohshme.
Ai u shpreh se sipas tyre kjo rregullore shumë herë është keqpërdorur dhe si e tillë është e dëmshme për qytetin. Arsyetimi i tyre ishte bindës dhe VV votoi për, por ai shton se çuditërisht, shumica e asamblistëve të LDK-së votuan kundër.
“Ky ishte një mesazh për kryetarin Rama, nga subjekti i tij: mos e prek LDK-në te ndërtimet”, shkroi Sveçla në Facebook.
Theksojmë se në seancën e kaluar të Kuvendit Komunal të Prishtinës, pushteti LDK-PDK, i ka votuar dy vendime për këmbim të pronave e që grupi i Vetëvendosjes i ka kundërshtuar këto vendime për shkak të parregullësive të shumta në dokumentacione dhe për rrjedhojë ka votuar kundër.