Pas votimit në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.
Sipas Kurtit, me miratimin e këtij projektligji, do të mundësohet konfiskimi civil i pasurisë, sipas tij pa dënim, nëse nuk mund të justifikohet.
“Me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ecim bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil (pa dënim) të pasurisë që nuk justifikohet dot”.
Lexo po ashtu: Kurti: Byroja mekanizem i rëndësishëm për të hetuar pasurinë e personave zyrtarë
Ai ka thënë se projektligji në fjalë do t’i marrë për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe do të jetë në përputhje me praktikat ndërkombëtare.
“Me rekomandimet e vlefshme të Komisionit të Venecias, ky Projektligj do të standardizohet plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, po ashtu, do ta rrisë efikasitetin e luftimit të korrupsionit, siç ka qenë zotimi ynë e për të cilin jemi maksimalisht të përkushtuar”, ka shkruar tutje kryeministri.
Kurti i ka falënderuar deputetët e Kosovës edhe për votimin e Projekt-kodit të Procedurës Penale, i cili sipas tij, po ashtu është në përputhje me praktikat dhe standardet evropiane.
Sipas kryeministrit, ky Projekt-kod, do të kontribuoj në ndëshkimet e rasteve korruptive.
“Projekt-kodi është hartuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare i cili përveç përmirësimit të procedurave penale, do t’i kontribuojë tutje ndjekjes dhe ndëshkimit të rasteve korruptive. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar të drejtave të palëve në procedurë, në veçanti të drejtave të palëve të dëmtuara apo viktimave”.
Ndërkaq Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, i miratuar poashtu sot, sipas Kurtit parasheh reformimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion dhe avancimin e këtij segmenti të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.
“Përmes këtij Projektligji do të mundësohet krijimi i një klime ku parandalohet dhe luftohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjshëm”.
Në fund, Kurti seancën e së enjtes e ka konsideruar si të suksseshme, duke e përmendur edhe projektligjin për Vettingun, për të cilin tha se duhen konsultime me partitë opozitare.
“Me fjalë të tjera, ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë. Ndërkohë, procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë është një çështje tjetër, dhe konsultimet me partitë opozitare për të sigurisht që duhet të vazhdojnë”, tha ai./T