Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e tij kundër Ballkanit të Hapur, me çrast i është përgjigjur presidentit serb për ofrimin e linjitit në këmbim të energjisë elektrike.
I pyetur rreth ofertës së Serbisë për ofrim të linjitit në këmbim të energjisë elektrike, Kurti, u përgjigj negativisht, duke thënë se Vuçiq prej idesë së shkëmbimit të territoreve, tash po e dëshiron qymyrin e Kosovës.
Të mërkurën, presidenti i Serbisë u shpreh se Kosovës do t’i ofrohet një marrëveshje ku në këmbim të linjitit Kosovës do t’i ofrohet energji elektrike ose edhe pagesa me para.
“Ne ishim të gatshëm t’i ofronim Prishtinës shkëmbim në mënyrë që të merrnim sasi të konsiderueshme të linjitit cilësor në këmbim të energjisë elektrike. Nëse nuk doni kështu, atëherë mund të bëhet edhe me para. Nuk kemi asnjë problem, jemi të gatshëm të flasim për këtë”, pati thënë Vuçiq për gazetarët në Ohër, gjatë Samitit për “Ballkanin e Hapur”.
Kryeministri Kurti theksoi se s’ka Ballkan të Hapur pa qenë gjashtë vendet e rajonit dhe pa trajtim të barabartë.
Madje sipas tij, ky ka qenë edhe mesazhi i të dërguarit të posaçëm të ShBA-së, Gabriel Escobar.
Kreu qeveritar tha se pret nesër nga kancelari gjerman Olaf Scholz mesazhe të qarta për fuqizim të Procesit të Berlinit.
Ai foli edhe për veteranët e UÇK-së, për të cilët tha se ka ndjeshmëri të madhe.
Këto komente Kurti i bëri të enjten, pas dorëzimit disa medaljeve të njësisë speciale të EULEX-it.