Ad image

Kryeministri pritet nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar

Kosova News
Kosova News 13:51 -07/06/2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është pritur të martën në takim nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.

Kreu i Qeverisë në këtë rast e ka falënderuar ministrit Heappey për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat, si në atë të çlirimit, të rindërtimit, të pavarësimit, të zhvillimit e të demokratizimit.

Në një njoftim të Kryeministrisë thuhet se Kurti dhe Heappey biseduan për mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Posaçërisht u diskutua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë dhe kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e institucioneve profesionale të mbrojtjes, sidomos të akademisë së mbrojtjes Sandhurst për shkollim të karrierës e specialistik”, thuhet në njoftim.

Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë ngritur e kanë arritur rezultate të larta dhe FSK-ja ka marrë pjesë tri herë në garën ndërkombëtare “Cambrian Patrol” në Britani të Madhe, duke fituar njëherë medaljen e artë, një herë të argjendtën dhe njëherë të bronztën. Tani janë duke u bërë përgatitjet për pjesëmarrjen e radhës që mbahet në muajin tetor.

Mes tjerash, duke biseduar për çështjet e sigurisë, Kurti dhe Heappey theksuan sfidat që vijnë nga invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus në Ukrainë.

Kryeministri Kurti tha që Republika e Kosovës është rreshtuar përkrah botës demokratike, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e dënuar sulmin dhe duke vendosur masat sanksionuese ndaj Federatës Ruse.

Gjithashtu, ai theksoi ndihmën e qeverisë për Ukrainën, ofrimin e strehimit për 5000 refugjatë dhe kushteve të punës për 20 gazetarë ukrainas, katër prej të cilëve tashmë janë vendosur në Kosovë dhe po vazhdojnë të merren me profesionin e tyre./KosovaNews/

Shpërndaje