Ad image

Konjufca: E ardhmja e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në BE

Kosova News
Kosova News 17:25 -07/06/2022

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim virtual me kryetaren e Parlamentit të Polonisë, Elżbieta Witek, me të cilën ka biseduar mbi tema të ndryshme të rëndësishme për Kosovën, rajonin, Poloninë, Evropën dhe botën.

Konjufca e njoftoi homologen e tij polake lidhur me miratimin e rezolutës së Kuvendit për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, harmonizimin e politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së dhe SHBA-së mbi sanksionet kundër Rusisë.

Po ashtu e njoftoi se Kosova ka marrë vendim të akomodojë 5.000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas.

“Në këtë krizë globale ne jemi rreshtuar përkrah popujve liridashës dhe demokratik, meqë edhe vetë kemi qenë viktimë e agresionit serb. Për më tepër pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia ndikon drejtpërdrejt edhe në sigurinë rajonale e më gjerë”, tha ai.

Konjufca shprehu mirënjohje për kontributin e Polonisë dhënë shtetit tonë, duke theksuar se Polonia është shtet mik dhe mbështetëse e Kosovës gjatë rrugëtimit të shtetndërtimit të saj.

“Ardhmëria e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në BE, prandaj preferojmë një rrugë të qartë përpara”, tha ai.

Ndërsa, Witek theksoi se shteti i saj tashmë ka pranuar më shumë se tre milionë refugjatë nga Ukraina, si dhe njoftoi që Parlamenti i Polonisë deri më tani ka miratuar pesë rezoluta mbi agresionin rus dhe Ukrainën.

Witek kërkoi të ketë sa më shumë solidaritet, bashkëpunim dhe harmonizim të të gjitha shteteve përkitazi me sanksionet kundër këtij agresioni.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se sfidat e fundit të sigurisë globale kërkojnë unifikim dhe shprehën gatishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimin e dimensionit parlamentar në mes të dy shteteve tona./kp/

TAGGED: , ,
Shpërndaje