Ditëve e javëve të fundit, është vërejtur intensifikim i interesimit të diplomacisë evropiane ndaj Kosovës.
Nesër, (10 Qershor), vendin tonë pritet ta vizitojë njëri nga emrat më të fuqishëm të Bashkimit Evropian, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili rreth orës 11.30 është planifikuar të takohet vetëm me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Kryeministri Kurti , ardhjen e Scholz, e cilësoi si “gjallërim” për Procesin e Berlinit, duke thënë se tanimë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mikpritjen e kancelarit, raporton Kosovanews.
Një tjetër diplomat me peshë që pritet të vizitojë Kosovën më 14 dhe 15 qershor, është presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Kujtojmë se, më 12 maj, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, kishte dorëzuar aplikimin zyrtar në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion të lartë politik të BE-së.
Ndërkaq, më 4 korrik, vendin tonë pritet ta vizitojë edhe ministri Irlandës për Çështje Evropiane, Thomas Byrne, shkruan Kosovanews.
Këtë e bëri të ditur ambasadori jo-rezident të Irlandës për Kosovë në Budapest, Ronan Gargan, pas një takimi që e zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti.
Duke e pas parasysh që Irlanda tani ka Presidencën e Këshillit të Evropës, Kurti theksoi mbështetjen, që i duhet Kosovës për anëtarësim të në këtë organizatë.
Ndryshe, gjatë javës së kaluar, për vizitë në Kosovë ishte ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, shtet ky i cili pavarësinë e Kosovës nuk e ka njohur ende.
Ai ishte pritur me nderime të larta shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Në lidhje me këtë vizitë krerët e shtetit kishin kërkuar që së shpejti të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia. /KosovaNews/