Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për dështim në shërbimin si gardian i Kushtetutës, në zgjidhjen e rasteve në kohë të arsyeshme. Në një reagim për media të enjten, IKD-ja ka përmendur rastin e Sebahate Morinës si shembull të vonesës nga Kushtetuesja.
Më 13 korrik janë bërë një vit që kur rasti i Morinës qe dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Morina ishte vrarë në mars të 2021-s nga ish-bashkëshorti i saj. Familjarët i ishin drejtuar Kushtetueses me pretendimin se autoritetet shtetërore kishin shkelur përgjegjësitë e veta duke dështuar ta mbrojnë jetën e viktimës.
“E drejta për jetë konsiderohet ndër të drejtat më themelore të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Vendosja efikase e këtij rasti do mund të transformonte rrënjësisht mënyrën se si autoritetet shtetërore i qasen rasteve të dhunës në familje, ngjashëm me efektin që kishte rasti i Diana Kastratit KI 41/12 në vitin 2012. Kjo do të shërbente që autoritetet shtetërore të ishin më të përgjegjshme në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të mbronin në mënyrë adekuate të drejtat e viktimave. Për më tepër, rasti i Sebahate Morinës paraqet mundësinë e Gjykatës Kushtetuese që të vendosë meritorisht për herë të parë lidhur me dispozitat e Konventës së Stambollit, të inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës më 2020. Megjithatë, pas një viti, nuk ka ende asnjë vendim”, thuhet në reagim të IKD-së.
Ky institut ka thënë se vonesat në rastin e Morinës nuk përbëjnë çështje të izoluar. IKD-ja i ka cilësuar shqetësuese të dhënat që Kushtetueses i duhen 14 muaj mesatarisht për të marrë një vendim. Ka thënë se ka vonesë në marrjen e vendimeve edhe për rastet që lidhen me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Sipas IKD-së, mirëkuptohet fakti që mund të ketë vonesa në raste të caktuara për shkak të kompleksitetit, por ato duhet të jenë përjashtime të rralla e jo rregull.
IKD-ja ka thënë se është brengosëse që Kushtetuesja nga 200-250 kërkesave të palëve, i nxjerr 20-30 aktgjykime meritore.
“Në veçanti rastet me interes madhor publik duhet të vendosen në kohë sa më të shkurtër të mundshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme të ndodhë në rastet që nuk duken të jenë aq komplekse për vendimmarrje, siç është për shembull rasti i Sebahate Morinës”, thuhet në reagim.
IKD-ja ka thënë se Kushtetuesja duhet të ketë kujdes të shtuar që, të paktën në raste shumë të rëndësishme, të vendosë në mënyrë meritore sa më shpejt.
“Lehtësimi i procedurave të brendshme pranë Gjykatës Kushtetuese dhe ngritja e profesionalizmit (në veçanti përmes përvetësimit të metodave të hulumtimit krahasimor kushtetues dhe njohurive mbi hierarkinë e normave në vend si dhe rolit të duhur të praktikës gjyqësore të GjEDNJ) janë thelbësore në këtë drejtim”, përfundon reagimi.