Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit, kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, Avdullah Hoti sot është takuar me ambasadoren e Izraelit në Republikën e Kosovës, znj. Tamara Ziv.
“Falënderova Ambasadoren Ziv për bashkëpunimin dhe përkushtimin e saj që nga emërimi në pozitën e ambasadores. Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe u dakorduam që grupet e miqësisë të punojnë së bashku për të promovuar qëllimet tona të përbashkëta për të mirën e popujve tanë. Grupi i Miqësisë i Kuvendit të Kosovës së shpejti do të vizitojë Parlamentin e Izraelit, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e komunitetit hebre në Kosovë dhe komunitetit të bizneseve për të nxitur bashkëpunimin ekonomik. U dakorduam që së shpejti ta bëjmë agjendën e vizitës së parë në Izrael. Ndërkaq, në vjeshtë do të jetë vizita kthyese në Prishtinë”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Sipas tij marrëveshjet e diskutuara në takimin e kaluar u dakorduam t’i çojmë përpara dhe të ratifikohen sa më shpejtë në kuvendet e dy vendeve. “Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës dhe Izraelit”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ndryshe në kuadër të marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në shtator 2020 në prani të ish-presidentit të SHBA, Donald Trump, u ra dakord edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael.
Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem, vetëm disa javë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit më 1 shkurt 2021. RTKlive