Ad image

Gërvalla përgënjeshtron artikullin e publikuar për këshilltarët e saj

Jeton Sopa
Jeton Sopa 16:32 -04/06/2022

Gjatë ditës së sotme, portali  demokracia.com, ka publikuar një artikull me titullin „EKSKLUZIVE: Këshilltarët e Gërvallës për një orë në Terminalin VIP ia harxhojnë shtetit 1 mijë e 30 euro“, ku më pastaj ky artikull është shpërndarë në disa portale tjera, përmes së cilit është pretenduar se, “Kristian Dodaj dhe Benit Haxhosaj, këshilltarë të ministres Gërvalla, njëri politik e tjetri i jashtëm, e kanë blerë me paratë e shtetit trajtimin e VIP-it, duke shpenzuar 1 mijë e 30 euro nga buxheti i shtetit vetëm për të kaluar përmes Terminalit VIP në aeroportin e Vjenës.”

Menjëherë pas kësaj, në lidhje me këtë ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla duke e cilësuar si “shpifje e radhës”, shkruan KosovaNews.

Përmes një reagimi në facebook, Gërvalla i ka kërkuar portalit “demokracia.com” dhe portaleve të tjera, që të kërkojnë falje publike para se çështja t’i kalojë organeve të rendit.

“Para se çështja t’i kalojë organeve të rendit, i bëj thirrje portalit demokracia.com dhe të tjerëve, të cilët pa asnjë verifikim paraprak thjesht vetëm e kanë kopjuar dhe botuar në portalet e tyre këtë shpifje, ta botojnë menjëherë demantimin e saj në të njëjtën faqe ku edhe e kanë botuar shpifjen dhe të kërkojnë falje publike.”, ka shkruar Gërvalla.

Sipas saj, plasimi i shpifjeve lidhur me të dhe ekipin e saj, është kthyer në një fenomen të rëndomtë.

“Plasimi i shpifjeve lidhur me mua, punën time dhe të ekipit tim është kthyer në një fenomen të rëndomtë në një pjesë, fatmirësisht të kufizuar, të portaleve në Kosovë. Reagimet e mia janë shumë të rralla edhe për faktin që këto shpifje nuk po i besojnë madje as ata „gazetarë“ që i botojnë ato. Duke keqpërdorur dokumente të vjedhura nga komunikimi i MPJD-së dhe duke gënjyer rreth përmbajtjes së tyre, përpiqet të krijohet përshtypja që paska plasur me të madhe hajnia dhe keqpërdorimi nga ana e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.”, ka shkruar Gërvalla.

Duke e cilësuar si gënjeshtër artikullin e publikuar, Gërvalla ka thënë se dokumenti i botuar si „dëshmi pagese“ titullohet me fjalën „Angebot“, që do të thotë ofertë, pra jo faturë dhe sipas saj një ofertë e tillë nuk është pranuar asnjë herë.

“Shpifja e radhës titullohet është e portalit demokracia.com dhe titullohet:

„Këshilltarët e Gërvallës për një orë në Terminalin VIP ia harxhojnë shtetit 1 mijë e 30 euro“

Është thjesht gënjeshtër e kulluar që këshilltarët e mi i paskan harxhuar shtetit para për të marrë shërbime në terminalin VIP në aeroportin e Vjenës. Dokumenti i botuar si „dëshmi pagese“ titullohet me fjalën „Angebot“, që do të thotë ofertë, pra jo faturë. Një ofertë e tillë nuk është pranuar asnjë herë dhe prandaj kostoja e shkaktuar është 0,00 Euro.”, është shprehur Gërvalla në facebook.

Duke e përgënjeshtruar artikullin e publikuar, ministrja Gërvalla ka deklaruar se mundësinë e kalimit VIP në aeroport , e shfrytëzon vetëm në raste shumë të rralla.

“Këshilltarët e mi asnjëherë nuk marrin shërbime në terminalet VIP jashtë shtetit. Ata përkundrazi bien në sy për modestinë, mirësjelljen dhe zellin e tyre për të kryer sa më shumë punë të mira në një ambient aspak të lehtë.

Personalisht këtë mundësi e shfrytëzoj vetëm në raste shumë të rralla, kur rrethanat objektive e imponojnë një gjë të tillë. Madje as në aeroportin e Prishtinës unë nuk kaloj nga terminali VIP, përveç ndonjë rasti të rrallë (ndoshta 5% të udhëtimeve të mia), kur për shkak të takimeve zyrtare arrij kaq vonë në aeroport, sa kalimi nëpër terminalet e zakonshme të aeroportit do të rrezikonte të gjithë udhëtimin zyrtar. Për këtë kam dëshmitarë qindra dhe mijëra udhëtarë nga Kosova dhe mërgata, me të cilët kam pritur dhe pres në radhë çdo herë për të kryer shërbimet e zakonshme para fluturimit. Mbrëmë jam kthyer pas mesnate nga Vjena dhe kam kaluar, si të gjithë pasagjerët e tjerë, nëpër kontrollin e zakonshëm të pasaportave dhe pasi kam pritur valixhen time, kam dalur jashtë së bashku me të gjithë udhëtarët e tjerë. Në fakt, mbrëmë shërbimi VIP i aeroportit të Prishtinës dikë ishte duke e pritur tek shkallët e aeroplanit, por jo mua. Janë të tjerë, përfaqësues të partive të pushteteve të vjetra, të cilët i shfrytëzojnë këto shërbime. “, ka shkruar Gërvalla.

Ajo po ashtu ka kritikuar mediat dhe ka kërkuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës  të reagojë në lidhje me këtë çështje.

“Opozitarizmi dhe gazetaria nuk bëhen me gënjeshtra. Opozitarizmi i mirëfilltë dhe gazetaria hulumtuese serioze kërkojnë shumë punë dhe integritet.

Me shumë përgjegjësi e them që paranë publike nuk e kam shpërdoruar as dje, as sot dhe as nuk e kam në plan as për të ardhmen. Brenda mundësive të mia përpiqem në pozicionin që kam, me përgjegjësi, punë, përkushtim, dinjitet dhe ndershmëri të jap maksimumin për të çuar përpara institucionin që drejtoj dhe për ta pozicionuar Kosovën çdo ditë pak më mirë në arenën ndërkombëtare.

Në pritje edhe të një reagimi edhe të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj një fundjavë të këndshme.”, ka shkruar Gërvalla./KosovaNews.

Ky është reagimi i plotë:

Ky është reagimi i plotë:

TAGGED:
Shpërndaje