I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot (më 15 mars) do të vizitojë Serbinë, ndërsa gjatë kësaj jave do të vizitojë edhe Kosovën.
Në Beograd, Escobar është paraparë të zhvillojë takime të ndara me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Serbi do të zhvillohet tre ditë para rundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, Escobar do të qëndrojë në Beograd pas vizitës dyditore të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili, po ashtu javën e kaluar qëndroi në Kosovë, për të përgatitur takimin e Ohrit.
ShBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni po ashtu mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia.
Në takimin e 18 marsit pritet që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për zbatimin e këtij propozimi.
Më herët, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se një marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian “është thelbësore për normalizim” të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.
Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.
Ndryshe, në propozimin evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.