Qeveria e Republikës së Kosovës njofton se do të vazhdojë takimet me qytetarë të komunave për ta prezantuar Buxhetin për vitin 2023, njëherit buxheti më i madh në histori të vendit.
Në njoftimin e saj Qeveria bëri të ditur se sot prezantimi do të bëhet në Gjakove, në orën 15:00.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Gjakovës të marrin pjesë”, thuhet në njoftim
Bëhet e ditur se sot për prezantim të buxhetit do të jenë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2023 është votuar në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor dhe mori 64 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.
Pas votimit në lexim të parë, projektbuxheti për vitin 2023 do të kalojë në Komision, ndërsa me amendamentet eventuale do të hidhet në votim edhe në lexim të dytë.
Siç kishte dhënë detaje kryeministri Kurti, buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro./KosovaNews