Ad image

Ambasadori i BE-së: Kosova vazhdon të përballet me probleme mjedisore

Jeton Sopa
Jeton Sopa 15:56 -03/06/2022

Në një aktivitet të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Komuna e Prishtinës për nder të Ditës Botërore të Mjedisit, ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog së bashku me të parin e Prishtinës Përparim Rama, mbollën 100 pemë të blirit përreth shkallëve të Arbërisë në kryeqytet, transmeton KosovaNews.

Gjatë këtij aktiviteti ambasadori Szunyog ka thënë se Kosova ka stagnuar në mbrojtjen e mjedisit përfshirë, ndotjen e ujit, ndotjen e ajrit dhe tokës, ndërsa bëri thirrje që të përmirësohet efikasiteti i Termokosit.

Sipas tij, në shtatë vitet e fundit Bashkimi Evropian ka investuar 100 milionë euro në Kosovë në aspektin mjedisor.

Szunyog: Kosova ende vazhdon të përballet me probleme mjedisore

“Aktiviteti i sotëm është pjesë e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë i cili është kontribut për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në Kosovë. Dëshiroj të theksoj se Kosova ka bërë disa përparime, por ajo ende përballet me sfida dhe probleme të mëdha mjedisore, duke përfshirë ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës. Nga ana e saj, që nga viti 2015, BE-ja ka investuar më shumë se 100 milionë euro në mbrojtjen e mjedisit. Mbrojtja e mjedisit përfshinë përmirësimin e efikasitetit të Termokos-it dhe reduktimi i emetimeve të CO2, si dhe përmirësimi i ngrohjes për 60.000 persona, bashkë investim në impiantin e trajtimit të ujit në Shkabaj, përmirësimi i cilësisë së ujit të pijshëm dhe sigurimi i disa prej monitorëve fillestarë të cilësisë së ajrit”, tha Szunyog.

I pari i kryeqytetit Përparim Rama ka thënë se komuna është duke e realizuar një marrëveshje me Bankën Botërore për përmirësimin e ndotjes së ajrit duke sjellë në kryeqytet panele solare të prodhimit të energjisë për rreth 35MË të cilat do të shfrytëzohen për ngrohjen e qytetarëve gjatë muajve të dimrit.

Rama: Po realizojmë disa projekte për të ulur ndotjen

“Kur flasim për përmirësimin e ndotjes së ajrit, pra kur flasim në këtë aspekt kemi pasur bashkëpunim me projekte të ndryshme mirëpo edhe ajo tjetra si ‘Solar for Kosovo’ ku një numër i madh i paneleve solare tash është në proces të projektimit dhe instalimit me 35MË të energjisë do të krijohet edhe shfrytëzohet për për ngrohje të kryeqytetit, është projekti më i madh në Evropë i këtij lloji, ka kapacitetin edhe shtesë edhe për 40MË të tjera, pra në fazën e dytë, po ashtu me Bankën Botërore jemi duke punuar edhe për të transformuar edhe mënyrën se si shtëpitë private ngrohen, prej këtyre mënyrave të ngrohjes që e ndotin ajrin duke djegur thëngjill apo drunjë, t’i përdorin këto. Kosto, apo ngrohëset që janë më ambientale, mundësojnë që deri në 95% të mbrojnë ajrin. Ai që lëshohet tash e ndotë shumë ambientin ndërsa ta zvogëlojmë këtë ndotje deri në 95% nëpërmjet këtij aktiviteti apo këtij investimi të Komunës së Prishtinës” tha Rama.

Në këtë aktivitet të përfshirë ishin edhe fëmijët të cilët kontribuuan në mbjelljen e pemëve të blirit. Shkallët e Arbërisë tani kanë 100 drurë të rinj të mbjellë nga poshtë deri lart. Përmes një veprimi simbolik, u tha se mbjellja e drurëve sot kontribuoi për ta bërë Prishtinën qytet më të gjelbër./KosovaNews/

Shpërndaje